RAJONI
2 minuta leximi
Nuk ka zhbllokim, vazhdon seria e dështimeve të konstituimit të Kuvendit të Kosovës
Për të 14-tën herë me radhë, konstituimi i Kuvendit të Kosovës dështoi në mungesë të votave për zgjedhjen e kryeparlamentarit, duke bërë që të mos hapet rruga për formimin edhe të qeverisë së re.
Nuk ka zhbllokim, vazhdon seria e dështimeve të konstituimit të Kuvendit të Kosovës
Nuk ka zhbllokim, vazhdon seria e dështimeve të konstituimit të Kuvendit të Kosovës / AA
11 Maj 2025

Kuvendi i Kosovës e ka shënuar edhe një dështim në seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në mungesë të votave të mjaftueshme.

Për të 14-tën herë me radhë, konstituimi i Kuvendit të Kosovës dështoi në mungesë të votave për zgjedhjen e kryeparlamentarit, duke bërë që të mos hapet rruga për formimin edhe të qeverisë së re.

Seanca nisi me votimin për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë të pozitës së kryeparlamentarit. Por, shumica e partive e kundërshtuan këtë komision duke mos propozuar anëtarin e tyre për këtë komision.

Në votimin e sotëm, vetëm 54 vota ishin pro, asnjë kundër dhe nuk pati abstenime.

“Shihemi përsëri më 13 maj në orën 10:00”, theksoi kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Kryetari i partisë së dytë më të madhe në vend, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha se Albin Kurti nuk i ka numrat për t’u bërë kryeministër edhe njëherë dhe "për të mos ardhur deri aty po mbanë peng të gjithë".

Nga zyra e Presidencës së Kosovës është paralajmëruar një takim i përbashkët politik së shpejti dhe për këtë Krasniqi tha se janë të gatshëm që të shkojnë në këtë takim, megjithëse kompetencat kushtetuese të presidentes në zgjidhjet politike janë të kufizuara.

Nga 61 vota të nevojshme, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryeparlamentare, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nëntë nga deputetët që vijnë nga komunitetet. 

Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us