BOTA
2 minuta leximi
Trump: Pakistani dhe India arritën armëpushim “të plotë dhe të menjëhershëm”
Menjëherë pas postimit të presidentit Trump, shefi i diplomacisë pakistaneze njoftoi se Pakistani dhe India kanë rënë dakord për një armëpushim me “efekt të menjëhershëm”.
Trump: Pakistani dhe India arritën armëpushim “të plotë dhe të menjëhershëm”
Trump: Pakistani dhe India arritën armëpushim “të plotë dhe të menjëhershëm” / Reuters
10 Maj 2025

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se Paksitani dhe India kanë arritur një armëpushim “të plotë dhe të menjëhershëm” pas ditësh luftimesh intensive.

“Pas një nate të gjatë bisedimesh të ndërmjetësuara nga ShBA-ja, jam i kënaqur të njoftoj se India dhe Pakistani kanë rënë dakord për një armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm. Përgëzime të dyja vendeve për përdorimin e logjikës së shëndoshë dhe të shkëlqyer”, shkroi Trump në mediat sociale.

Menjëherë pas postimit të presidentit Trump, ministri i Punëve të Jashtme i Pakistanit, Ishaq Dar, shkroi në platformën sociale X se Pakistani dhe India kanë rënë dakord për një armëpushim me “efekt të menjëhershëm”. 

“Pakistani gjithmonë është përpjekur për paqe dhe siguri në rajon, pa bërë kompromis me sovranitetin dhe integritetin e tij territorial”, shkroi Dar.

Nga ana tjetër, sekretari i jashtëm i Indisë, Vikram Misri, gjithashtu konfirmoi armëpushimin.

“U ra dakord midis tyre që të dyja palët të ndalojnë të gjitha të shtënat dhe veprimet ushtarake në tokë, ajër dhe det, duke filluar sot nga ora 17:00 me kohën lokale”, njofroi Misri.

Ndërkohë, Autoriteti i Aviacionit Civil i Pakistanit njoftoi se Pakistani ka rihapur hapësirën ajrore pas armëpushimit me Indinë.

Zhvillimi vjen disa orë pasi Pakistani nisi një operacion hakmarrës mëngjesin e sotëm në përgjigje të sulmeve ushtarake të Indisë mbi ato që i quajti objektiva terroriste brenda Pakistanit.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us