Presidenti sirian Ahmad al-Sharaa dhe mbreti i Bahreinit Hamad bin Isa Al Khalifa zhvilluan të shtunën një takim në Pallatin Sakhir për të diskutuar mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet në rajon.
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Bahreinit, në takim morën pjesë edhe princi i kurorës dhe njëherazi kryeministri i Bahreinit, Salman bin Hamad Al Khalifa. Të dyja palët theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si tregtia, aviacioni civil, energjia, shëndetësia dhe arsimi.
Në konferencën për shtyp, ministri i Jashtëm i Bahreinit, Abdullatif Al Zayani, theksoi lidhjet historike vëllazërore mes dy vendeve dhe vuri në dukje përkushtimin për t’i thelluar më tej ato. Ndërsa homologu i tij sirian, Asaad Al-Shaibani, e përshkroi vizitën si një moment historik që hap një kapitull të ri të ndërtuar mbi besimin dhe vizionin e përbashkët.
Gjatë vizitës, Siria përsëriti thirrjen për heqjen e sanksioneve ndërkombëtare, duke i cilësuar ato si pengesë për rindërtimin dhe si faktor që po dëmton civilët.
Kjo ishte vizita e parë zyrtare e presidentit sirian në Bahrein dhe ndalesa e tij e gjashtë në një vend arab që nga marrja e detyrës në janar 2025, pas largimit të Bashar al-Asadit dhe përfundimit të sundimit gati 60-vjeçar të partisë Baath në Siri.