RAJONI
2 minuta leximi
Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, presidenti Begaj i drejtohet qendrës së votimit
Begaj theksoi se kjo ditë e sotme duhet të jetë një ditë e gëzuar dhe ditë feste, ku qytetarët duhet të shprehin lirisht vullnetin e tyre pa presion dhe me përgjegjshmëri që zëri i tyre të dëgjohet.
Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, presidenti Begaj i drejtohet qendrës së votimit
Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, presidenti Begaj i drejtohet qendrës së votimit / AA
11 Maj 2025

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka votuar për zgjedhjet parlamentare që po mbahen sot në vend.

Presidenti Begaj, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Armanda Begaj, votoi në qendrën e votimit në ambientet e Shkollës 9-vjeçare “ Kongresi i Lushnjës” në Tiranë.

Ai theksoi se kjo ditë e sotme duhet të jetë një ditë e gëzuar dhe ditë feste, ku qytetarët duhet të shprehin lirisht vullnetin e tyre pa presion dhe me përgjegjshmëri që zëri i tyre të dëgjohet.

“Proceset zgjedhore janë të rëndësishme për qytetarët, për vendin dhe për demokracinë. Kjo ditë e sotme ka një rëndësi të veçantë për faktin që kemi hapur negociatat për anëtarësim në BE, për herë të parë voton diaspora dhe zgjedhjet duhet të plotësojnë standardet më të mira”, tha Begaj.

Në Shqipëri vazhdon procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare, ku qytetarët me të drejtë vote do të zgjedhin përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë me 140 mandate.

Të drejtën e votës e kanë 3.713.761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, ndër ta 114.642 zgjedhës votojnë për herë të parë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se për këto zgjedhje janë regjistruar 53 parti politike si subjekte zgjedhore, mes tyre dhe disa parti të reja, ndërkohë që garojnë 3 koalicione parazgjedhore.

Risia kryesore e zgjedhjeve është votimi nga jashtë Shqipërisë, pasi për herë të parë votojnë edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Procesi i votimit për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit filloi më 15 prill në rrugë postare.

Zgjedhjet vëzhgohen nga një mision i Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Delegacione vëzhguese gjithashtu do të ketë edhe nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe një delegacion nga Parlamenti Evropian, si dhe nga organizata të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us