Në Shqipëri ka filluar procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare, ku qytetarët me të drejtë vote do të zgjedhin përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë me 140 mandate.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe procesi i votimit do të vazhdojë zyrtarisht deri në orën 19:00, në 5.225 qendra të votimit në të gjithë vendin.
Të drejtën e votës e kanë 3.713.761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, ndër ta 114.642 zgjedhës votojnë për herë të parë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se për këto zgjedhje janë regjistruar 53 parti politike si subjekte zgjedhore, mes tyre dhe disa parti të reja, ndërkohë që garojnë 3 koalicione parazgjedhore.
Numri i zonave zgjedhore është 12 në të gjithë vendin dhe numri i mandateve të deputetëve për çdo zonë varion nga 3 mandate për Qarkun e Kukësit dhe deri në numrin më të madh të mandateve, në 37 mandate për Qarkun e Tiranës.
Risia kryesore e zgjedhjeve është votimi nga jashtë Shqipërisë, pasi për herë të parë votojnë edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Procesi i votimit për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit filloi më 15 prill 2025 në rrugë postare.
Zgjedhjet do të vëzhgohen nga një mision i Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Delegacione vëzhguese gjithashtu do të ketë edhe nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe një delegacion nga Parlamenti Evropian, si dhe nga organizata të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.