RAJONI
3 minuta leximi
Shqipëri, mbahet seanca e AP-së të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore
Pjesë e takimit ishin drejtues të parlamenteve, deputetë dhe zyrtarë të tjerë nga vendet anëtare të nismës.
Shqipëri, mbahet seanca e AP-së të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore
Shqipëri, mbahet seanca e AP-së të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore / AA
10 Qershor 2025

Në Tiranë është mbajtur sot seanca e Sesionit të XII-të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP-SEECP), me pjesëmarrjen e zyrtarëve nga disa vende.

Pjesë e takimit ishin drejtues të parlamenteve, deputetë dhe zyrtarë të tjerë nga vendet anëtare të nismës. Türkiye në këtë takim u përfaqësua nga deputetët Refik Özen, Derya Bakbak, Hasan Öztürk dhe Zuhal Karakoç Dora.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në fjalën e saj në hapje të takimit u shpreh se Presidenca shqiptare e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore kontribuoi në intensifikimin e bashkëpunimit rajonal.

"Bashkëpunimi ynë ka qenë dhe mbetet një mundësi më shumë për të çuar përpara arritjet e vendeve të organizatës sonë drejt paqes, bashkëpunimit dhe fuqizimit të institucioneve demokratike, për të përballuar sfidat e rajonit e më gjerë si edhe një faktor thelbësor për nxitjen e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, mbështetur në arritjet dhe meritat e çdo vendi kandidat", tha ajo.

Sipas saj, ky sesion zhvillohet në një moment të rëndësishëm historik për Shqipërinë dhe rajonin e Evropës Juglindore. Spiropali theksoi se Shqipëria po ecën me hapa të shpejtë e të vendosur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe konsolidimit të vlerave tona thelbësore evropiane.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, e ka vlerësuar si të rëndësishëm dialogun parlamentar, sipas tij në ndërtimin e një Evrope Juglindore më bashkëpunuese e më të qëndrueshme.

"Duke parë përpara, duhet të njohim rolin thelbësor që luajnë parlamentet kombëtare në këtë rrugëtim. Përmes veprimit legjislativ, mbikëqyrjes dhe angazhimit publik, ju ndihmoni që perspektiva evropiane të mos mbetet vetëm një aspiratë diplomatike, por të bëhet një zgjedhje konkrete dhe e përqafuar nga gjithë shoqëritë tona", tha Hasani

Hasani ka shtuar se Shqipëria e sheh SEECP-në si një mekanizëm të rëndësishëm rajonal dhe sipas tij si platformë për nxitjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore, forcimin e bashkëpunimit dhe promovimin e përkushtimit të përbashkët ndaj paqes, mirëqenies dhe integrimit evropian.

"Ky është një proces gjithëpërfshirës që na bashkon rreth një qëllimi të përbashkët: ankorimin e rajonit tonë fort në familjen evropiane", u shpreh Hasani.

Seanca e sotme u mbajt në kuadër të Presidencës të Shqipërisë të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore (SEECP) për periudhën qershor 2024-korrik 2025. SEECP është një nismë rajonale që synon të krijojë një atmosferë besimi, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe stabilitet.

Pjesë e nismës janë Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Türkiye, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Rumania, Serbia, Kroacia, Moldavia, Mali i Zi dhe Sllovenia.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us