Ushtria izraelite u tërhoq të mërkurën nga qyteti i Nablusit në veri të Bregut Perëndimor, pas gati 28 orësh operacion ushtarak që rezultoi me vrasjen e dy personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.
Dëshmitarë i thanë agjencisë Anadolu se ushtria u tërhoq nga Nablusi pasi vrau dy civilë, plagosi më shumë se 80 persona dhe shkaktoi dëme në disa shtëpi dhe dyqane.
Ministria Palestinene e Shëndetësisë tha se u njoftua nga Autoriteti i Përgjithshëm për Çështjet Civile - zyra zyrtare palestineze për ndërlidhje me Izraelin se vëllezërit Nidal Ameira, 40 vjeç, dhe Khaled Ameira, 35 vjeç, u vranë nga të shtënat izraelite gjatë bastisjes në Nablus.
Ushtria izraelite hyri në qytet nga disa drejtime, duke rrethuar Qytetin e Vjetër të Nablusit. Sipas dëshmitarëve, u bastisën disa shtëpi dhe dyqane dhe disa palestinezë u arrestuan.
Një ish-i burgosur palestinez gjithashtu u vra gjatë një bastisjeje në qytetin Tubas të martën, sipas televizionit zyrtar palestinez.
Që nga fillimi i ofensivës së Izraelit në Gaza më 7 tetor 2023, 977 palestinezë janë vrarë dhe mbi 7,000 janë plagosur në Bregun Perëndimor nga forcat izraelite dhe kolonët, sipas Ministrisë Palestinene të Shëndetësisë.
Në një opinion historik në korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë deklaroi se okupimi i territoreve palestineze nga Izraeli është i paligjshëm dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.