Hungaria dhe Kroacia po punojnë për të zhvilluar më tej bashkëpunimin dypalësh dhe tashmë janë hedhur themele të forta, tha Ministri i Jashtëm Hungarez Peter Szijjarto.
"Hungaria përpiqet për marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët e saj dhe Kroacia nuk bën përjashtim", theksoi ai në një konferencë të përbashkët për shtyp me Ministrin kroat të Punëve të Jashtme dhe Evropiane Gordan Gërliq Radman.
Ai falënderoi Zagrebin që nuk iu bashkua "kampit që akuzon dhe nxit pa bazë kundër qeverisë hungareze".
"Ne duam të ndërtojmë një urë të re pranë Murakeresztúr dhe të krijojmë lidhje shtesë rrugore pranë Sarok dhe Zakany", tha ai, duke deklaruar se qëllimi është të përmirësohet lidhshmëria midis dy vendeve. Ai theksoi gjithashtu se ata duan një bashkëpunim edhe më të ngushtë në fushën e energjisë, duke u bërë thirrje kompanive të mëdha të energjisë nga të dyja vendet t’i intensifikojnë negociatat.
Ai ishte i vendosur në lidhje me politikën e energjisë: "Hungaria nuk do të mbështesë kurrë një propozim nga Brukseli që minon sigurinë tonë energjetike ose rrit kostot e familjeve".
Gërliq Radman tha me atë rast se shkëmbimi i mendimeve në nivel ministror është i rëndësishëm për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe forcimin e besimit të ndërsjellë në fusha të shumta të bashkëpunimit.
"Ne jetojmë në kohë të pasigurta që na përballin me sfida që është e pamundur të zgjidhen me sukses pa kultivuar me kujdes marrëdhënie të mira fqinjësore dhe hapje dhe gatishmëri për dialog dhe bashkëpunim", tha ai.
Ai theksoi se Kroacia dhe Hungaria ndajnë lidhje dhe bashkëpunim të suksesshëm në fusha të shumta, dhe ai theksoi veçanërisht pakicat kombëtare.