LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
41 ushtarë izraelitë heqin dorë nga shërbimi ushtarak
Në letrën me titullin “Ushtarë për Pengjet”, ata shkruajnë se ofensiva e re ushtarake në Gaza nuk është një “vendim i sigurisë, por politik”, e cila po zhvillohet për të mbrojtur mbijetesën politike të kryeministrit Benjamin Netanyahu.
41 ushtarë izraelitë heqin dorë nga shërbimi ushtarak
41 ushtarë izraelitë heqin dorë nga shërbimi ushtarak / AA
11 Qershor 2025

Dyzet e një ushtarë izraelitë deklaruan të martën se nuk do të vazhdojnë shërbimin ushtarak, duke e përshkruar ofensivën e vazhdueshme në Gaza si një “gjenocid” që zhvillohet për të mbrojtur mbijetesën politike të kryeministrit Benjamin Netanyahu, e jo për sigurinë e Izraelit apo shpëtimin e pengjeve.

Ushtarët, të cilët i përkasin njësive të inteligjencës dhe luftës kibernetike, i kanë dërguar një letër të nënshkruar Netanyahut, ministrit të Mbrojtjes Israel Katz, shefit të Shtabit Eyal Zamir dhe anëtarëve të kabinetit, sipas të përditshmes izraelite Yedioth Ahronoth.

Në letrën me titullin “Ushtarë për Pengjet”, ata shkruajnë se ofensiva e re ushtarake në Gaza nuk është një “vendim i sigurisë, por politik”.

Ata kritikojnë zgjerimin e operacioneve ushtarake në Rripin e Gazës, duke theksuar se qëllimi nuk është mbrojtja e qytetarëve izraelitë, por ruajtja e koalicionit qeverisës.

“Ne nuk do të marrim pjesë në luftën për mbijetesën politike të Netanyahut”, thuhet në deklaratë. Disa prej tyre u zotuan ta bëjnë publik refuzimin, ndërsa të tjerë paralajmëruan forma më të heshtura të protestës.

Në fillim të qershorit, shefi i shtabit Zamir urdhëroi zgjerimin e ofensivës tokësore në Gaza, si në veri ashtu edhe në jug, pavarësisht krizës humanitare gjithnjë e më të rënduar në territorin e rrethuar.

Ushtria izraelite pretendon se qëllimi është “krijimi i kushteve për kthimin e pengjeve dhe mposhtja përfundimtare e Hamasit”.

Izraeli vlerëson se rreth 56 pengje mbeten ende në Gaza, përfshirë 20 që besohet se janë gjallë. Në të njëjtën kohë, mbi 10.100 palestinezë mbahen në burgjet izraelite, shumë prej tyre në kushte çnjerëzore, përfshirë tortura, urie dhe mungesë trajtimi mjekësor, sipas organizatave palestineze dhe izraelite për të drejtat e njeriut.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us