Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir ka kërcënuar udhëheqësin e lartë të Fatahut, Marwan Barghouti, gjatë një vizite në burgun Ganot në qendër të Izraelit, raportuan mediat lokale të enjten.
I shoqëruar nga komisari i Shërbimit të Burgjeve të Izraelit, Kobi Yacobi, Ben-Gvir i ka thënë, sipas raportimeve, Barghoutit: “Çdokush që ngatërrohet me Izraelin, që vret fëmijët tanë, që vret gratë tona: do ta eliminojmë. Duhet ta dini këtë,” citon gazeta izraelite Yedioth Ahronoth.
Kanal 12 i Izraelit transmetoi një videoinçizim të vizitës provokuese të Ben-Gvir në burg, i cili më parë ka qenë i njohur si burgu Ramon dhe Nafha. Në pamje, Barghouti dukej i dobët dhe me shëndet të vështirësuar. Kanali raportoi se vizita e ministrit synonte mbikëqyrjen e kushteve më të ashpra për të burgosurit palestinezë.
Barghouti (66), politikan dhe udhëheqës i shquar i Fatahut, mori pjesë në Intifadën e Parë më 1987 dhe u shfaq si figurë kryesore në Intifadën e Dytë më vitin 2000. Izraeli e arrestoi atë në vitin 2002 dhe e dënoi me pesë dënime të përjetshme, duke e akuzuar për përgjegjësi në sulmet e kryera nga grupe të armatosura të lidhura me Fatahun, të cilat rezultuan me vrasjen dhe plagosjen e izraelitëve.