Rusia ka një “qëndrim të qartë dhe të kuptueshëm” dhe argumente që e mbështesin atë në takimin e ardhshëm mes presidentit Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan Donald Trump në Alaskë, tha ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov.
Duke komentuar vërejtjet e Trumpit se ka 25 për qind gjasa që negociatat të dështojnë, Lavrov tha në një intervistë për kanalin televiziv rus “Rusia 1” se pala ruse kurrë nuk jep parashikime paraprakisht.
“Ne e dimë që kemi argumente dhe një qëndrim të qartë e të kuptueshëm. Do ta paraqesim atë,” tha ai.
Lavrov theksoi se shumë gjëra tashmë janë bërë gjatë vizitës së të dërguarit amerikan Steve Witkoff, i cili veproi në emër të presidentit amerikan.
“Shpresoj që ta vazhdojmë këtë bisedë të dobishme,” shtoi ai.
Putin dhe Trump pritet të takohen të premten, në Anchorage, qyteti më i madh i shtetit amerikan të Alaskës, në një përpjekje për të gjetur gjuhën e përbashkët për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila ka nisur në shkurt të vitit 2022.