Gjatë një konference për shtyp, Celibashi deklaroi se qytetarët shqiptarë tashmë e kanë ushtruar të drejtën e votës dhe se votat ndodhen në kutitë e votimit.
Ai theksoi se “të gjithë duhet të tregojnë durim dhe të presin procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave”.
Celibashi rikujtoi se pas përfundimit të votimit nis një fazë po aq e rëndësishme, ajo e numërimit dhe e vlerësimit të fletëve të votimit.
“Është një proces tepër i vështirë veçanërisht për ata numërues dhe komisionerë që do të angazhohen. E dimë shumë mirë se si realizohet ai proces, ndaj është me rëndësi të ketë qetësi dhe vetëpërmbajtje nga të gjitha palët politike”, tha Celibashi.
Komisari Shtetëror i Zgjedhjeve siguroi se KQZ-ja ka vënë në funksion të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të garantuar që ky proces të monitorohet dhe vëzhgohet nga përfaqësuesit e partive politike, kandidatët që kanë të drejtën të jenë të pranishëm gjatë numërimit dhe vlerësimit të fletëve të votimit, si dhe nga vëzhgues të tjerë, përfshirë përfaqësues të medias.
“Besoj se nëse të gjithë do të bëjnë ato çfarë ligji ka përcaktuar për të bërë, në këtë rast ju do të keni rezultatin paraprak të zgjedhjeve brenda afatit të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor, pra jo më vonë se pasditja e ditës së martë”, tha Celibashi.
Sipas tij, “KQZ-ja e konfirmoi me vendosmëri se nuk do të tolerojë asnjë rast apo iniciativë e cila shkon kundër integritetit të procesit të numërimit dhe vlerësimit të fletëve të votimit”.
Po ashtu, Celibashi theksoi se ajo që të gjithë do të duhet të kenë vëmendjen është qetësia që partitë politike dhe udhëheqësit politikë duhet t’u krijojnë atyre që janë angazhuar në këtë proces, numëruesve dhe anëtarëve të komisionit.
“Është e këshillueshme dhe është në përputhje me detyrimin që kanë të gjithë për të respektuar kërkesat e ligjit, që deklarimet për rezultatet të cilat vijnë vetëm pas vlerësimit të votimit paraprakisht, nga përfaqësuesit politik janë pa asnjë lloj vlere dhe janë kontribute jo pozitive në mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit”, u shpreh ai.