Sipas deklaratës së UNICEF-it, një nga vendet më të goditura është Republika Demokratike e Kongos, ku gjatë korrikut janë regjistruar mbi 38.000 raste të kolerës dhe 951 vdekje. Rreth 25.6 për qind e rasteve përfshijnë fëmijë nën moshën 5 vjeç. Në kryeqytetin Kinshasa, numri i rasteve dhe norma e vdekjeve janë rritur ndjeshëm, duke arritur në 8 për qind .
Në Nigeri janë raportuar mbi 3.000 raste të dyshuara dhe 86 vdekje deri në fund të qershorit, duke e renditur vendin të dytin më të prekur në rajon. Ndërkohë, shpërthime janë regjistruar edhe në Çad, Republikën e Kongos, Ganë, Bregun e Fildishtë dhe Togo. Gjendje alarmi vazhdon të mbetet në fuqi në Niger, Liberi, Benin, Republikën Qendrore Afrikane dhe Kamerun.
Në kampin e refugjatëve Dougui në Çad, pranë qytetit Abeche, janë raportuar 55 raste të dyshuara dhe katër vdekje. UNICEF thekson se fëmijët përbëjnë shumicën e popullsisë në kamp dhe kushtet e dobëta higjienike rrezikojnë përhapjen e sëmundjes.
Që nga fillimi i shpërthimit, UNICEF ka shpërndarë furnizime mjekësore, ujë të sigurt, pajisje sanitare dhe ka nisur fushata ndërgjegjësimi dhe vaksinimi. Për të përballuar situatën në muajt e ardhshëm, organizata ka nevojë për një mbështetje urgjente financiare prej 20 milionë dollarësh.
Drejtori Rajonal i UNICEF-it për Afrikën Perëndimore dhe Qendrore, Gilles Fagninou, paralajmëroi se shirat e rrëmbyeshëm, përmbytjet dhe zhvendosjet masive po rrisin rrezikun e përhapjes së kolerës, duke vënë në rrezik jetën e mijëra fëmijëve.