Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, theksoi mbështetjen e palëkundur të Sllovenisë për përpjekjet për të ruajtur kujtesën për gjenocidin në Srebrenicë dhe për të rritur ndërgjegjësimin, veçanërisht te të rinjtë, në mënyrë që krime të tilla të mos përsëriten më.
Shoqata “Lëvizja e Nënave të Enklavave të Srebrenicës dhe të Žepa-s” dhe Shoqata e Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit ndodhen për një vizitë dyditore në Republikën e Sllovenisë, me ftesë të presidentes Nataša Pirc Musar.
Të hënën u mbajt një takim me ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, ku u diskutua për përvjetorin e 30-të të gjenocidit, përgatitjet për përkujtimin, si dhe për zbatimin e rezolutave të miratuara në Parlamentin Evropian dhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Theks i veçantë u vendos në domosdoshmërinë e edukimit të të rinjve përmes sistemit arsimor, me qëllim që ata të njihen me rezultatet e punës së Gjykatës së Hagës.
Fajon shkroi në rrjetin X se në takim kishte theksuar mbështetjen e palëkundur të Sllovenisë për përpjekjet për të ruajtur kujtesën për gjenocidin në Srebrenicë dhe për të rritur ndërgjegjësimin, veçanërisht te të rinjtë, që krime të tilla të mos përsëriten kurrë më.
U diskutua gjithashtu edhe për vazhdimin e mohimit të gjenocidit, si dhe për lavdërimin e kriminelëve të luftës dhe se si të parandalohet kjo dukuri, e cila është e pranishme në të gjithë Ballkanin.
Aktivitetet vazhdojnë sot me një takim me nënkryetaren e Parlamentit të Sllovenisë, Urshka Klakoçar, si dhe me presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar.
“Sllovenia, parlamentarët e së cilës, nga Jelko Kacin, Tanja Fajon e deri te Igor Sholtes, kanë qenë nismëtarë të rezolutave në Parlamentin Evropian në vitet 2009, 2015 dhe 2018, si dhe sponsorë të rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, padyshim që mund të ndihmojnë dhe të jenë bartës të aktiviteteve për zbatimin e rezolutave në segmentin e arsimit,” theksuan nga Shoqata e Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit dhe nga Lëvizja e Nënave të Enklavave të Srebrenicës dhe të Žepa-s.
Në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës – Potoçari deri tani janë varrosur 6.765 viktima të gjenocidit, ndërsa 250 viktima janë varrosur në varrezat lokale, sipas vendimit të anëtarëve të mbijetuar të familjeve.
Viktimat vijnë nga komuna të ndryshme, ndërsa më së shumti nga Srebrenica, Bratunac, Vlasenica, Zvornik dhe Miliqi.
Viktimat e gjenocidit janë gjetur në 150 lokalitete të ndryshme, ndër të cilat 77 janë varreza masive. Viktima më e re e varrosur deri më tani në Potoçari ishte një foshnjë e sapolindur, vajza Fatima Muhiq, ndërsa viktima më e moshuar ishte nëna Shaha Izmirliq, e lindur në vitin 1901.
Për më shumë se një mijë viktima të gjenocidit ende vazhdohet kërkimi.