BOTA
2 minuta leximi
Gjashtë të vrarë në përplasjet kufitare mes Sudanit të Jugut dhe Ugandës
Të hënën dy ushtritë shkëmbyen zjarr në qarkun Kajo Keji të Sudanit të Jugut, duke vrarë pesë ushtarë, thonë zyrtarët.
Gjashtë të vrarë në përplasjet kufitare mes Sudanit të Jugut dhe Ugandës
Gjashtë të vrarë në përplasjet kufitare mes Sudanit të Jugut dhe Ugandës / AA
30 Korrik 2025

Të paktën gjashtë persona janë vrarë në përplasjet mes Sudanit të Jugut dhe Ugandës pranë kufirit të tyre të përbashkët, ku pretendimet e kundërta mbi vijën kufitare të paqartë shpeshherë shkaktojnë përleshje të vogla.

Zëdhënësi i ushtrisë ugandeze, Felix Kulayigye, tha të mërkurën se ushtarë të Forcave të Mbrojtjes Popullore të Sudanit të Jugut (SSPDF) kishin hyrë pa leje në rajonin West Nile të Ugandës dhe kishin refuzuar të largoheshin, gjë që çoi në një shkëmbim zjarri ku të paktën një ushtar ugandez u vra.

Qarku Kajo Keji në Sudanin e Jugut njoftoi në një deklaratë se pesë ushtarë të SSPDF-së u vranë në një sulm të befasishëm nga forcat ugandeze të mbështetura nga tanke dhe artileri. Ushtria e Sudanit të Jugut e konfirmoi përplasjen, por nuk dha një numër të saktë të viktimave.

Uganda ka mbështetur forcat besnike të presidentit të Sudanit të Jugut, Salva Kiir, për disa dekada, duke ndihmuar vendin në luftën për pavarësi e fituar në vitin 2011 si dhe gjatë luftës civile që pasoi.

Një komitet kufitar i përbashkët ekzistues do të shqyrtojë mënyrat për të gjetur një zgjidhje paqësore për mosmarrëveshjet e përsëritura lidhur me kufirin, tha zëdhënësi i SSPDF-së, Lul Ruai Koang, në një deklaratë të martën vonë.

Në mars, Sudani i Jugut ftoi ushtrinë e Ugandës që të ndihmonte në forcimin e sigurisë në kryeqytetin Juba, pas përkeqësimit të marrëdhënieve të trazuara mes presidentit Kiir dhe rivalit të tij, zëvendëspresidentit të parë, Riek Machar.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us