Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio paralajmëroi sot se Washingtoni mund t'u japë fund përpjekjeve të tij për të ndërmjetësuar për paqen në Ukrainë nëse nuk arrihet përparim i qartë në ditët në vijim.
"Nëse nuk është e mundur t'i jepet fund luftës në Ukrainë, atëherë ne duhet të ecim përpara", u tha ai gazetarëve, pas takimit të tij me partnerë evropianë në Paris të enjten.
"Nuk është lufta jonë. Nuk e filluam ne. SHBA ka ndihmuar Ukrainën në 3 vitet e fundit dhe ne duam që ajo të përfundojë, por nuk është lufta jonë", tha Rubio.
Ai vuri në dukje se ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump mbetet i përkushtuar për të ndjekur paqen, SHBA-ja duhet gjithashtu të fokusohet në prioritete të tjera globale.
"Presidenti ka kaluar 87 ditë në nivelin më të lartë të kësaj qeverie duke bërë vazhdimisht përpjekje për t'i dhënë fund kësaj lufte. Tani po arrijmë në një pikë kur duhet të vendosim dhe të përcaktojmë nëse kjo është e mundur apo jo. Kjo është arsyeja pse ne po angazhojmë të dyja palët", shtoi sekratari amerikan i Shtetit.
Rubio, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm presidencial Keith Kellogg dhe i dërguari për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, mbajtën bisedime me zyrtarë të lartë evropianë dhe ukrainas të enjten në Paris për të diskutuar mënyrat për t'i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë.