BOTA
4 minuta leximi
ShBA-ja përdori ¼ e raketave interceptuese THAAD në luftën Izrael-Iran:
Uashingtoni shpenzoi rreth 25 për qind të arsenalit të raketave të avancuara THAAD brenda 12 ditësh, duke ngritur shqetësime për gatishmërinë globale
ShBA-ja përdori ¼ e raketave interceptuese THAAD në luftën Izrael-Iran:
ShBA-ja përdori ¼ e raketave interceptuese THAAD në luftën Izrael-Iran: / AA
28 Korrik 2025

Sipas raporteve të mediave, ShBA përdori rreth një të katërtën e stokut të saj të raketave interceptuese të teknologjisë së lartë THAAD gjatë një konflikti të armatosur 12-ditor në qershor, gjatë të cilit Irani lëshoi mbi 500 raketa balistike ndaj Izraelit.

Më shumë se 100, dhe ndoshta deri në 150, raketa Terminal High Altitude Area Defense (THAAD) u lëshuan nga forcat amerikane që operonin dy nga shtatë bateritë THAAD të vendosura në Izrael, raportoi CNN të dielën.

Sistemet THAAD, secila bateri e operuar nga 95 ushtarë, e pajisur me gjashtë hedhës raketash dhe 48 raketa interceptuese, kishin për detyrë të mbronin territorin izraelit gjatë njërës prej breshërive më intensive të raketave në historinë e fundit të rajonit.

Megjithë vendosjen e tyre, dhjetëra raketa iraniane arritën të kalonin sistemet mbrojtëse dhe shkaktuan dëme të mëdha në qytete izraelite, përfshirë Tel Avivin, duke lënë të vrarë 29 persona.

Çdo raketë interceptuese THAAD kushton rreth 12.7 milionë dollarë, dhe ShBA prodhoi vetëm 11 të tilla gjatë vitit fiskal të kaluar.

Planet aktuale të prodhimit parashikojnë vetëm 12 të tjera në vitin 2025 dhe 37 në 2026, duke lënë një boshllëk të mundshëm në gatishmëri.

Sekretari i Shtypit i Pentagonit, Kingsley Wilson, theksoi se “ushtria amerikane është më e forta që ka qenë ndonjëherë”, duke cituar efektivitetin e Operacionit Midnight Hammer, i cili kishte në shënjestër objektet bërthamore iraniane, sipas raportimeve të mediave.

Megjithatë, një raport paraprak i inteligjencës sugjeroi se kapacitetet bërthamore të Iranit u vonuan, por nuk u shkatërruan.

Iron Dome nuk është projektuar për raketa balistike me rreze të gjatë

Sipas të dhënave nga Instituti Hebraik për Sigurinë Kombëtare të Amerikës, sistemet THAAD të operuara nga ShBA kapën afërsisht gjysmën e 201 raketave iraniane që u rrëzuan, duke treguar një varësi të madhe nga sistemet amerikane për shkak të mungesës së raketave interceptuese izraelite Arrow.

Iron Dome, i optimizuar për kërcënime me rreze të shkurtër, nuk është projektuar për të përballuar raketat balistike me rreze të gjatë të Iranit.

Efikasiteti i ndërprerjes ra ndërsa lufta përparonte.

Ndërsa 92 për qind e raketave iraniane u kapën në javën e parë, kjo përqindje ra në 84% në javën e dytë dhe në 75 për qind në ditën e fundit, siç raportohet, për shkak të varianteve më të avancuara të raketave iraniane dhe objektivave strategjike në zonat urbane.

Mara Karlin, ish-ndihmëssekretare amerikane e mbrojtjes për strategji, deklaroi: “Mbrojtja ajrore është aktualisht thelbësore në të gjitha teatrot kryesore. Dhe nuk ka sisteme të mjaftueshme.”

“Nuk ka interceptues të mjaftueshëm. Nuk ka prodhim të mjaftueshëm,” citohet të ketë thënë ajo për CNN.

9 bateri aktive THAAD në gjithë botën

Aktualisht janë në funksion në mbarë botën nëntë bateri THAAD, shtatë prej të cilave operohen nga ShBA-ja.

Dy prej tyre më parë ishin të vendosura në shtetin e Teksasit, por u zhvendosën në Lindjen e Mesme për të përforcuar mbrojtjen ajrore të Izraelit.

Të tjera janë të vendosura në Guam dhe Korenë e Jugut, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu kanë përdorur sisteme THAAD kundër raketave të Houthive.

Analistët e mbrojtjes paralajmërojnë se shterimi i rezervave të raketave interceptuese përbën një sfidë serioze për ShBA-në, veçanërisht në rajonin Indo-Paqësor, ku kërcënimi nga Kina po rritet.

“Stoqet po bien. Na duhen më shumë. Dhe na duhen më shpejt sesa po prodhohen,” tha një ish-zyrtar i mbrojtjes.

Buxheti i mbrojtjes për vitin 2026 përfshin një shtesë prej 2.5 miliardë dollarësh për prodhimin e raketave dhe municioneve dhe 1.3 miliardë dollarë për përmirësimin e zinxhirit të furnizimit.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se rimbushja e inventarit të THAAD me ritmet aktuale mund të zgjasë nga tre deri në tetë vjet.

“Lufta 12-ditore në qershorin e këtij viti përfaqësoi përdorimin e parë domethënës të raketave THAAD,” deklaroi Timur Kadyshev nga Universiteti i Hamburgut. “Izraeli pati një sukses relativ në mbrojtje me ndihmën e ShBA-së, me koston e shterimit të arsenaleve ekzistuese.”

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us