Türkiye ka mohuar kategorikisht akuzat se një anije kontejnerësh e ankoruar në Portin e Mersinit po transportonte çelik për industrinë ushtarake izraelite.
Anija me flamur të Liberisë, e quajtur VELA, e cila mbërriti nga Spanja më 9 qershor, iu nënshtrua një inspektimi të hollësishëm nga autoritetet turke, të cilat nuk gjetën asnjë provë që mbështet pretendimet.
“Manifesti i ngarkesës dhe të dhënat doganore u shqyrtuan me kujdes”, tha në një deklaratë Qendra e Türkiyes për Luftimin e Dezinformimit, e publikuar të martën në platformën X.
“Nuk u gjet asnjë ngarkesë çeliku apo provë me qëllim ushtarak të regjistruar në emër të Industrive Ushtarake të Izraelit (IMI) apo ndonjë institucioni të ngjashëm.”
Sipas qendrës, në total u shkarkuan 461 kontejnerë në portin e Mersinit, 220 ishin bosh, ndërsa 241 të mbushur.
Autoritetet konfirmuan se asnjë nga kontejnerët e ngarkuar nuk përmbante materiale që mund të përdoreshin për qëllime ushtarake.
Ngarkesë tranziti për vende të tjera, jo për Izraelin
Hetimet e mëtejshme zbuluan se anija po transportonte 1.570 kontejnerë tranzit me destinacione në vende të tjera, jo në Izrael.
Ndërsa 33 kontejnerë të ngarkuar, të inspektuar dhe të miratuar, kishin origjinë nga Türkiye dhe ishin të destinuar për Palestinën, kryesisht me ndihma ushqimore.
Në deklaratën e saj, Qendra theksoi angazhimin e Türkiyes për zbatimin rigoroz të rregulloreve ndërkombëtare të tregtisë dhe transparencën në operacionet portuale.
Portet turke përpunojnë gati tetë milionë kontejnerë në vit dhe i nënshtrohen kontrolleve të rrepta doganore.
Qeveria përsëriti se tregtia me Izraelin është pezulluar plotësisht që më 2 maj 2024, si përgjigje ndaj asaj që Türkiye i ka cilësuar si veprime të paligjshme të Izraelit në Gaza.
Që prej asaj date, sistemi doganor turk është mbyllur për çdo transaksion tregtar me Izraelin, përfshirë ato brenda zonave të lira tregtare dhe porteve.