Australia ka parë një “rritje dramatike” të incidenteve islamofobike që nga sulmet ndërkufitare të 7 tetorit 2023 nga grupi palestinez Hamas ndaj Izraelit që ndezën luftën në Gaza, me gra dhe vajza të shënjestruara në mënyrë disproporcionale, raportoi të hënën transmetuesi lokal SBS News.
Raporti citoi Nora Amath, drejtoreshë ekzekutive të Islamophobia Register Australia, sipas së cilës gratë dhe vajzat përbëjnë rreth 75 për qind të viktimave, ndërsa shumica e autorëve janë burra jo-muslimanë.
Amath u pajtua se ngjarjet gjeopolitike mund të shërbejnë si katalizator për islamofobinë në Australi, por ato nuk janë i vetmi faktor kontribues.
“Retorika politike është shumë e rëndësishme nëse shohim një rritje apo një ulje të incidenteve që na raportohen.
''Po flasim për mijëra e mijëra incidente... Për shumë femra myslimane që mbajnë shami, ato mendojnë se një incident i islamofobisë është ajo që do të thotë të jesh myslimane këtu në Australi,” tha ajo.
Në mars, një raport mbi islamofobinë në Australi zbuloi një rritje të ndjeshme të sulmeve, abuzimeve dhe kërcënimeve bazuar në raportet në Regjistrin e Islamofobisë midis janarit 2023 dhe nëntorit 2024.
Hulumtuesit nga Universitetet Monash dhe Deakin analizuan më shumë se 600 incidente ballë për ballë dhe në internet, duke zbuluar se gratë myslimane ishin kryesisht viktima.
Të paktën 59.821 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori 2023.
Ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj në Rripin e Gazës më 18 mars dhe që atëherë ka vrarë 8.657 persona dhe ka plagosur 32.810 të tjerë, duke shkatërruar një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve me Hamasin që hyri në fuqi në janar.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.