Sipas faqes së internetit ‘Restar Israel’, më shumë se 120 mijë njerëz në Izrael kanë nënshkruar 43 peticione duke kërkuar përfundimin e luftës në Gaza dhe shkëmbimin e të burgosurve.
Platforma ‘Restart Israel’ u mundëson izraelitëve të shqyrtojnë dhe nënshkruajnë peticionet në mënyrë elektronike. Deri më sot, gjithsej 120.522 njerëz kanë nënshkruar thirrje për kthimin e pengjeve dhe përfundimin e menjëhershëm të luftës.
16 nga 43 peticionet u nënshkruan nga mbi 10 mijë anëtarë të ushtrisë, përfshirë veteranë, rezervistë dhe ushtarë nga brigada të shumta, njësi elitare dhe degë të inteligjencës.
27 peticione e mbetura u nënshkruan nga profesionistë civilë, përfshirë akademikë, shkrimtarë, poetë, artistë, inxhinierë dhe profesionistë të tjerë.
Figura të dukshme midis nënshkruesve përfshijnë ish-kryeministrin Ehud Barak, ish-shefin e shtabit Dan Halutz, katër ish-komandantë të marinës (Ami Ayalon, Yedidia Yaari, Alex Tal dhe Dudu Ben-Besht), si dhe tre ish-udhëheqës të komandos detare ‘Flotilla 13’ (Ran Galinka, Uzi Livant dhe Tzvika Erez.
Dy ish-komandantë të artilerisë, Avraham Bar David dhe Doron Kadmiel, po ashtu u nënshkruan, së bashku me figura të tjera të larta ushtarake si Amram Mitzna, Avi Mizrahi, Amos Malka, Amnon Reshef, Moshe Sukenik, Nimrod Sheffer dhe Ilan Biran.
Peticionet kërkojnë lirimin e 59 pengjeve izraelite të mbajtura në Gaza, 24 prej të cilëve besohet se janë gjallë, si dhe për një armëpushim në enklavë.
Të premten e kaluar, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, akuzoi nënshkruesit ushtarakë për mosbindje dhe kërcënoi se do t’i shkarkojë ata. Ai pretendoi se grupet e financuara nga jashtë po mbështesin përpjekjet për të rrëzuar koalicionin e tij, që mori detyrën në fund të vitit 2022.
Netanyahu i përshkroi kërkuesit si një “grup i vogël pensionistësh, i zhurmshëm, anarkist dhe i shkëputur”, duke theksuar se kushdo që nxit mosbindje do të dëbohet.
Lëvizja me peticionet pasoi rënien e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve, e cila filloi më 19 janar me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit dhe me mbështetjen e ShBA-së.
Derisa Hamasi respektoi kushtet e marrëveshjes, Netanyahu nën presionin e koalicionit të tij të ekstremit të djathtë, refuzoi të kalojë në fazën e dytë të marrëveshjes, duke rifilluar operacionet ushtarake izraelite në Gaza më 18 mars.
Që nga tetori i vitit 2023, gjenocidi izraelit në Gaza ka marrë jetën e të paktën 51 mijë palestinezëve, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për veprimet në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.