Kosova ka marrëdhënie speciale me Türkiyen, tha ministri kosovar i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një intervistë ekskluzive për TRT Balkan. Ai theksoi raportet e ngushta mes të dyja vendeve sidomos në fushën e mbrojtjes.
Duke folur për marrëveshjen me kompaninë shtetërore turke MKE për hapjen e fabrikës së municionit në Kosovë, Maqedonci tha se Kosova do të prodhojë municion për nevojat e veta dhe për eksport.
“Së fundmi kemi arritur një marrëveshje jashtëzakonisht të rëndësishme, kemi zhvilluar një kontratë jashtëzakonisht të rëndësishme me kompaninë shtetërore MKE për hapjen e fabrikës së municionit e cila do të prodhojë municionet 5.56 dhe 7.62 në Republikën e Kosovës. Mendoj se është fabrika e parë që prodhon municione me standarde të NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Dhe Kosova do ta ketë këtë privilegj që të jetë ndoshta prej vendeve të para që prodhon municione të tilla, të këtij lloji në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm për nevojat e brendshme të Kosovës, por edhe për eksport, sidomos në vendet e rajonit”, tha ministri Maqedonci.
Ai vuri në dukje edhe bashkëpunimet e tjera të suksesshme mes Kosovës dhe Türkiyes në fushën e mbrojtjes gjatë viteve të fundit.
“Ne jemi duke bërë blerje ushtarake që tre vite me radhë nga Republika e Türkiyes, të ndryshme. Keni mundur t’i shihni besoj, kanë qenë edhe publike edhe shumë prej tyre, si dronat Bayraktar, sistemet raketore antitank OMTAS, por edhe shumë shumë sisteme të tjera të armatimit që po blihen pikërisht nga Republika e Türkiyes”, deklaroi Maqedonci.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, duke analizuar situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe më gjerë, tha se gjithmonë ekziston rreziku për përsëritjen e sulmeve si ai i Banjskës apo i Ibër Lepencit, për aq kohë sa fajtorët për këto sulme, sipas tij, vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi.