Universiteti Teknik i Istanbulit (ITU) ka nisur një proces të posaçëm pranimi për studentët e Universitetit të Harvardit, planet e të cilëve për arsim janë ndërprerë nga kufizimet e vizave të vendosura nga ShBA-ja për studentët e huaj për shkak të mbështetjes ndaj Palestinës.
Në një deklaratë nga ITU-ja thuhet se rregulloret e reja që ndikojnë proceset e vizave për studentët ndërkombëtarë në ShBA e kanë bërë të vështirë që ata të studiojnë ose të pranohen në Universitetin e Harvardit dhe i kanë bërë të vështira planet e tyre arsimore.
Pas këtyre zhvillimeve, u vu re se ITU-ja ka nisur një proces të posaçëm pranimi për studentët e Harvardit.
Rektori i ITU-së, prof. dr. Hasan Mandal, pikëpamjet e të cilit u përfshinë në deklaratë, ka theksuar se ITU-ja beson në natyrën universale të shkencës dhe potencialin e të rinjve.
Pasi deklaroi se do t'i hapin qendrat kërkimore, projektet dhe mjedisin e mësimit të universitetit për studentët që studiojnë në Harvard, në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë arsimimin e tyre pa ndërprerje, Mandal vazhdoi:
"Ne jemi të vendosur të mbështesim shkencëtarët e rinj me 252 vitet tona të njohurive akademike dhe suksesit global në inxhinieri. Ne u ofrojmë studentëve të Harvardit arsim cilësor në një mjedis multikulturor ku ata mund të kryejnë lirisht kërkime. Qëllimi ynë nuk është vetëm të eliminojmë një viktimizim, por të prodhojmë shkencën e së ardhmes së bashku", tha Mandal duke shtuar se:
"Në përputhje me vendimin e marrë nga Senati ynë më 4 qershor 2025 ne kemi hapur dyert tona për studentët që vazhdojnë arsimimin e tyre në Harvard. Ne do të pranojmë aplikime nga studentët e Harvardit që duan të vijnë në ITU onlajn dhe do t'i finalizojmë të gjitha aplikimet brenda një jave. Ne i presim në ITU që të gjithë studentët që studiojnë në Harvard".
Mandal tërhoqi vëmendjen për faktin se mundësitë që ofrohen në ITU, një nga universitetet më prestigjioze në botë, janë në nivel që konkurron me Harvardin.
"Si ITU ne renditemi në vendin e 79-të në fushën e inxhinierisë dhe teknologjisë në sistemet botërore të renditjes. Kemi vullnet dhe jemi të vendosur të ngrihemi në renditje edhe më të larta. Ne do të vazhdojmë ta transformojmë të ardhmen në dritën e shkencës së bashku me të gjithë studentët tanë", tha ai.
Po ashtu, Mandal vuri në dukje se informacione më të detajuara mbi këtë temë mund të arrihen nëpërmjet faqes së internetit "www.sis.itu.edu.tr/EN/index.php" dhe se studentët që aplikojnë nga Harvardi mund të punojnë në qendrat kërkimore të ITU-s dhe të përfshihen në projekte globale në vazhdim.