RAJONI
2 minuta leximi
Vuçiq takon Putinin: Tema kryesore ishte bashkëpunimi energjetik
Presidenti i Serbisë deklaroi gjithashtu se në bisedë përsëriti se Serbia është në rrugën evropiane, por se nuk po heq dorë nga miqtë tradicionalë.
Vuçiq takon Putinin: Tema kryesore ishte bashkëpunimi energjetik
Vuçiq takon Putinin: Tema kryesore ishte bashkëpunimi energjetik / Reuters
9 Maj 2025

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha të premten në mbrëmje se temë e veçantë e bisedës me presidentin rus Vlladimir Putin ishte bashkëpunimi në energji, pasi e takoi në Moskë presidentin rus.

“E përsërita se nënshkrimi i një marrëveshjeje të re gazi me Rusinë është me rëndësi jetike për Serbinë, veçanërisht duke pasur parasysh se kemi përpara projekte jashtëzakonisht të rëndësishme kapitale dhe zhvillimore, për të cilat është e nevojshme të sigurohet furnizimi me energji”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.

Ai deklaroi gjithashtu se në bisedë përsëriti se Serbia është në rrugën evropiane, por se nuk heq dorë nga miqtë e saj tradicionalë, sepse pikërisht kjo qëndrueshmëri, siç theksoi ai, është një nga themelet e politikës serioze dhe të përgjegjshme që po ndjek Serbia.

Vuçiq tha gjithashtu se e falënderoi Putinin për ftesën për ta vizituar Moskën dhe për të marrë pjesë në paradën ushtarake me rastin e Ditës së Fitores.

“E konsideroj këtë një mundësi jashtëzakonisht të rëndësishme për të folur drejtpërdrejt dhe për të shkëmbyer mendime mbi çështje me interes të ndërsjellë”, shkroi Vuçiq.

Presidenti i Serbisë theksoi gjithashtu se ai dhe Putini diskutuan të gjitha çështjet e tjera me interes të ndërsjellë.

“Shkëmbyem mendime mbi zhvillimet aktuale gjeopolitike globale, si dhe situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe sfidat me të cilat përballemi në përpjekjet tona për t’i ruajtur paqen dhe stabilitetin”, tha Vuçiq.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us