Tre persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën kur “disa autorë të armatosur” hapën zjarr brenda një restoranti në Nju Jork, në Brooklyn, herët të dielën në mëngjes, ndërsa lokali po mbyllej.
Në një konferencë për shtyp, Komisiarja e Policisë së Nju Jorkut, Jessica Tisch, tha se policia iu përgjigj raportimeve për një të shtënë në Taste of the City Lounge në Franklin Avenue, në Crown Heights, pak para orës 3:30 të mëngjesit, sipas orës lokale.
Viktimat që humbën jetën ishin tre burra, përkatësisht 27 dhe 35 vjeç, ndërsa mosha e viktimës së tretë nuk është përcaktuar ende.
Tetë personat e tjerë të plagosur u dërguan në spitalet pranë zonës, megjithëse autoritetet nuk dhanë detaje mbi gjendjen e tyre shëndetësore.
Tisch shtoi më tej se ishin përfshirë "disa autorë" të armatosur, të cilët ende nuk janë kapur, duke theksuar se hetuesit gjetën të paktën 36 gëzhoja armësh të llojeve të ndryshme në vendngjarje.
“Aktualisht kemi identifikuar 11 viktima, me moshë nga 27 deri në 61 vjeç, tetë meshkuj dhe tre femra”, tha ajo.
“Ne kemi numrin më të ulët të incidenteve me të shtëna dhe viktimave të të shtënave në shtatë muajt e parë të vitit, të regjistruar ndonjëherë në Nju Jork”, tha Tisch. “Diçka e tillë është, për fat të mirë, një anomali, por është një ngjarje e tmerrshme që ndodhi këtë mëngjes.”
Policia ka hapur një hetim mbi incidentin.