Reisi i Bashkësisë Islame i Bosnjë dhe Hercegovinës, Husein efendi Kavazoviq, i shoqëruar nga Myftiu i Kosovës, Naim efendi Tërnava, ka vizituar Kompleksin Memorial të Jasharëve në Prekaz.
Sipas njoftimit nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Kosovë, reisi Kavazoviq bashkë me myftiun Tërnava dhe shoqërues të tjerë, kënduan nga një Fatiha dhe bënë lutje për shpirtrat e dëshmorëve para varreve të familjes Jashari.
Prekazi dhe heroizmi i familjes Jashari u vlerësua jashtëzakonisht shumë nga reisi Husein Kavazoviq, duke e cilësuar kështu Prekazin si një vend të sakrificës dhe krenarisë.
Reisi i Bosnjës, Husein Kavazoviq, tha se populli i Kosovës dhe ai i Bosnjës ndajnë një histori të përbashkët dhimbjeje dhe sakrifice, por edhe një qëndresë të fortë për dinjitet, drejtësi dhe liri "andaj themi se Prekazi është një vend i heroizmit, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë ata që respektojnë sakrificën për të ardhmen".
Kavazoviq gjatë ditës së djeshme u prit në takim edhe nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.