Ministri i Jashtëm i Marokut dhe ai i Francës u zotuan ta forcojnë bashkëpunimin dhe partneritetin mes tyre të martën.
Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme franceze thuhet se ministri Jean-Noel Barrot dhe homologu i tij maroken, Nasser Bourita, riafirmuan gjatë takimit të tyre në Paris angazhimin për ta forcuar, mbrojtur dhe mbështetur “partneritetin e jashtëzakonshëm të zgjeruar” që u nis gjatë vizitës së presidentit Emmanuel Macron në Marok në tetorin e kaluar.
Ata gjithashtu mirëpritën “dinamikën e paprecedentë” të marrëdhënieve dypalëshe mes Parisit dhe Rabatit.
Gjatë vizitës së Macronit në Marok, ai dhe mbreti Mohammed VI nënshkruan një deklaratë për ta thelluar këtë partneritet.
Sipas deklaratës, të dy ministrat shqyrtuan çështje rajonale dhe ndërkombëtare, në veçanti marrëdhëniet euro-mesdhetare si dhe situatën në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë.
Ata gjithashtu e mirëpritën mundësinë për një takim të nivelit të lartë për Marokun që pritet të mbahet në vjeshtë.
Bisedimet e së martës u zhvilluan ndërkohë që tensionet mes Algjerisë dhe Francës po rriten.
Të hënën, Algjeria dëboi 12 diplomatë francezë në përgjigje të arrestimit të një zyrtari konsullor algjerian nga forcat franceze të sigurisë javën e kaluar.
Tensionet janë përshkallëzuar edhe për shkak të mbështetjes që Franca i ka dhënë planit të Marokut për “autonomi” në rajonin e kontestuar të Saharasë Perëndimore.
Çështja e Saharasë Perëndimore ka qenë burim tensionesh mes Algjerisë dhe Marokut për afro pesë dekada. Konflikti nisi në vitin 1975 pas tërheqjes së Spanjës nga rajoni, si dhe përplasja mes Marokut dhe Frontit Polisario pro-pavarësisë u kthye në një luftë të armatosur që zgjati deri në vitin 1991 kur u nënshkrua një marrëveshje armëpushimi.
OKB-ja nuk e njeh sovranitetin e pretenduar as nga Fronti Polisario dhe as nga Maroku, i cili mori kontrollin e shumicës së Saharasë Perëndimore në një marrëveshje me Spanjën dhe Mauritaninë në vitin 1975.
Maroku propozon një autonomi të gjerë për rajonin nën sovranitetin e tij, ndërsa Fronti Polisario kërkon një referendum për vetëvendosje – një qëndrim i mbështetur nga Algjeria, e cila strehon refugjatë nga ky rajon.