Ministria e Jashtme Izraelite tha të martën në mëngjes se aktivistët nga një anije ndihme për Gazën që u ndalua nga forcat izraelite kanë mbërritur në aeroport për deportim.
Ministria tha në një deklaratë se vullnetarët nga anija "Madleen", e cila po transportonte furnizime humanitare shumë të nevojshme për Rripin e Gazës, mbërritën në Aeroportin Ben Gurion për t'u larguar nga Izraeli dhe për t'u kthyer në vendet e tyre të origjinës.
"Disa prej tyre presin të largohen nga vendi në orët në vijim. Ata që refuzojnë të nënshkruajnë dokumentet e deportimit dhe të largohen nga Izraeli do të çohen para autoritetit përkatës gjyqësor, në përputhje me ligjin izraelit, për t'u miratuar deportimi i tyre. Konsujt e vendeve nga të cilat vijnë pasagjerët i pritën në aeroport", tha ajo.
Forcat izraelite e kapën anijen në orët e para të së hënës, duke e penguar atë të dorëzonte ndihmën shumë të nevojshme në enklavën e rrethuar.
Anija e ndihmës mbante gjithsej 12 persona, përfshirë aktivisten suedeze të klimës Greta Thunberg dhe anëtaren franko-palestineze të Parlamentit Evropian Rima Hassan. Në bord ishin gjithashtu Yasemin Acar nga Gjermania, Baptiste Andre, Pascal Maurieras, Yanis Mhamdi dhe Reva Viard nga Franca, Thiago Avila nga Brazili, Şuayb Ordu nga Türkiye, Sergio Toribio nga Spanja, Marco van Rennes nga Holanda dhe Omar Faiad, gazetar për Al Jazeera Mubasher, gjithashtu nga Franca.