Me një histori që përfshin më shumë se 500 vjet, ajo përmban mbi 80 mijë dorëshkrime, rreth 2 milionë libra të shtypur (si të lashtë ashtu edhe modernë), më shumë se 300 mijë monedha dhe medaljone, si dhe rreth 150 mijë materiale vizuale, përfshirë pulla, gravura dhe fotografi.
E vendosur në zemër të Qytetit të Vatikanit – një nga shtetet më të vegjël në botë – kjo bibliotekë është një qendër unike e trashëgimisë intelektuale. Përveç dokumenteve të Kishës Katolike, ajo përfshin vepra të çmuara nga kultura dhe qytetërime të ndryshme, të shkruara në një larmi gjuhësh dhe që mbulojnë fusha si teologjia, historia, filozofia, drejtësia, shkenca dhe letërsia.
Në një vizitë të kohëve të fundit, Biblioteka hapi dyert për anëtarët e Shoqatës së Shtypit të Huaj në Romë, duke u ofruar gazetarëve ndërkombëtarë, përfshirë korrespodent të Anadolu Agency, një vështrim të rrallë mbi koleksionet e saj të jashtëzakonshme.
Edhe pse përpjekjet për të krijuar arkiva dhe biblioteka nga ana e papëve datojnë që nga shekulli IV, vetëm në shekullin XIII u bë përpjekja për të ndërtuar një bibliotekë të centralizuar. Më herët, shumë vepra ishin shpërndarë ose humbur gjatë zhvendosjeve të papatit jashtë Romës. Sot, Biblioteka Apostolike përfaqëson një përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur dijen dhe trashëgiminë kulturore të njerëzimit.