Shërbimet e Komisariatit të Policisë së Tepelenës në Shqipëri kanë vënë nën pranga një person i cili dyshohet se shkaktoi zjarrin ku u dogjën 5 stane.
Policia identifikoi dhe arrestoi një 40-vjeçar i cili dyshohet se me zjarrin që ndezi në tokën e marrë me qira, dogji 5 stane, bagëti dhe mjedise pyjore në 2 fshatra.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore të kryera menjëherë pas njoftimit se në zonën e pyllëzuar midis fshatrave Kodër dhe Lekël, kishte rënë zjarr, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë mundësuan arrestimin e shtetasit E.M., 40-vjeç, banues në fshatin Kodër.
40-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e marrë me qira dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, pemë frutore, 5 stane me bazë ushqimore për bagëti dhe 3 krerë bagëti të trasha.
Prej mëngjesit të djeshëm, shërbimet e Policisë kanë mbajtur në kontroll perimetrin ku janë përhapur flakët.
Ndërkaq, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe me shërbimet zjarrfikëse, vijojnë punën për shuarjen e zjarrit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor".
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër apelon për të gjithë banorët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrëvënie, pasi do të përballen me ligjin.
Policia fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112, çdo rast zjarrvënieje dhe paligjshmërie në tërësi, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.
Ndërkohë Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 50 vatra zjarri, 19 ndër të cilat mbeten ende aktive.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 82 automjete zjarrfikëse dhe 1.080 forca operacionale.