RAJONI
2 minuta leximi
Kosovë, arrestohet i dyshuari për "krime lufte kundër popullatës civile"
Prokuroria dhe Policia njoftojnë se gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të mbijetuarve.
Kosovë, arrestohet i dyshuari për "krime lufte kundër popullatës civile"
Kosovë, arrestohet i dyshuari për "krime lufte kundër popullatës civile" / AA
6 orë më parë

Policia e Kosovës ka arrestuar të martën një person, nën dyshimin për pjesëmarrje në masakrimin e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim të Malishevës në fund të marsit të vitit 1999.

Në njoftimin e përbashkët të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës e Policisë së Kosovës, mëngjesin e së martës arrestuan personin me inicialet R.M. nën dyshimin për kryerjen e veprës penale "Krime lufte kundër popullatës civile".

"R.M., dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës", thuhet në njoftim.

Prokuroria dhe Policia njoftojnë se gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të mbijetuarve.

Në fund bëhet e ditur se Prokuroria Speciale do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti Special.

Masakra në fund të marsit të vitit 1999 ku u vranë dhe masakruan civilët shqiptarë, ndodhi në vendin e quajtur "Vrella e Mëhillit", në Burim të Malishevës. Shumica e viktimave ishin nga fshatrat Dragobil dhe Astrazup si dhe tre banorë të Suharekës, të cilët ishin strehuar në këtë pjesë.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us