BOTA
2 minuta leximi
Spanja thirri në bisedë përfaqësuesin izraelit për shkak të sulmit ndaj flotiljes në Gaza
Ministria njoftoi për El Pais dhe Cadena Ser se kishte thirrur Dan Poraz-in, të ngarkuarin me punë në ambasadën izraelite, pas ndalimit të flotiljes që sillte ndihma për Gazën.
Spanja thirri në bisedë përfaqësuesin izraelit për shkak të sulmit ndaj flotiljes në Gaza
Spanja thirri në bisedë përfaqësuesin izraelit për shkak të sulmit ndaj flotiljes në Gaza / TRT Balkan
9 Qershor 2025

Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës të hënën thirri në bisedë diplomatin më të lartë izraelit në Madrid për t’i dorëzuar një notë proteste për shkak të ndalimit të Flotiljes së Lirisë në ujërat ndërkombëtare.

Ministria tha për gazetën El Pais dhe kanalin Cadena Ser se e kishte thirrur Dan Poraz-in, të ngarkuarin me punë në ambasadën e Izraelit në Madrid, pasi forcat izraelite ndaluan flotiljen që transportonte ndihma humanitare për Rripin e Gazës nën bllokadë. Ndër pasagjerët ishte edhe aktivisti spanjoll Sergio Toribio.

"Ministria është në kontakt me shtetasin spanjoll, me familjen e tij dhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit, si dhe po ofron ndihmë konsullore", tha Ministria.

Poraz është diplomati më i lartë izraelit në Spanjë, pasi Tel Avivi e tërhoqi ambasadorin e tij mes kritikave të Madridit për luftën në Gaza dhe njohjen e shtetit palestinez. Kjo ishte hera e dytë në tri javë që diplomati izraelit thirret në bisedë. Ministria e Jashtme kishte protestuar edhe më 21 maj për të shtënat e ushtrisë izraelite ndaj një delegacioni diplomatik ndërkombëtar në Bregun Perëndimor të pushtuar, në të cilin ndodhej edhe një punonjës i konsullatës së përgjithshme spanjolle në Jerusalem.

Anija me ndihma u nis për në Gaza më 1 qershor nga porti San Giovanni Li Cuti në Siçili, Itali.

Anija, pjesë e Koalicionit të Flotiljes së Lirisë, ishte në rrugë për në Gaza duke transportuar furnizime si ushqim për fëmijë dhe materiale mjekësore, ndërsa në bord ndodheshin aktivistë.

Ushtarët izraelitë kanë rrëmbyer 12 persona nga anija "Madleen", përfshirë 11 aktivistë dhe një gazetar, njoftoi herët në mëngjes Koalicioni i Flotiljes së Lirisë, një organizatë ndërkombëtare joqeveritare që organizoi misionin humanitar për Gazën e bllokuar.

Në mesin e tyre janë aktivistja suedeze për klimën Greta Thunberg, eurodeputetja franko-palestineze Rima Hassan, Yasemin Acar nga Gjermania, Baptiste Andre, Pascal Maurieras, Yanis Mhamdi dhe Reva Viard nga Franca, Thiago Avila nga Brazili, Suayb Ordu nga Türkiye, Sergio Toribio nga Spanja, Marco van Rennes nga Holanda dhe Omar Faiad, gazetar i Al Jazeera Mubasher, gjithashtu nga Franca.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us