Presidenti amerikan Donald Trump të hënën bëri thirrje për dislokimin e ushtrisë në mes të trazirave që shpërthyen gjatë kontrolleve të emigracionit në Los Angeles.
“Situata në L.A. duket shumë keq. Sillni trupat,” shkroi Trump në një postim në rrjetin Truth Social.
Në një tjetër postim, Trump urdhëroi arrestimin e menjëhershëm të të gjithë atyre që mbajnë maska.
Ai gjithashtu deklaroi se ishte informuar nga shefi i policisë së Los Angelesit, Jim McDonnell, se protestuesit po bëhen gjithnjë e më agresivë dhe se situata duhet të rivlerësohet menjëherë.
“Mos lejoni që këta dhunues të mbeten të pandëshkuar. Bëjeni Amerikën sërish të madhe,” shtoi Trump.
Presidenti amerikan fajësoi drejtimin demokrat të Kalifornisë dhe të qytetit të Los Angelesit për trazirat që shpërthyen si pasojë e kontrolleve të Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE), duke thënë se administrata e tij nuk do të lejojë që ngjarje të tilla të vazhdojnë.
Të shtunën, Trump nënshkroi një memorandum duke u mbështetur në nenin 10 të Ligjit për Forcat e Armatosura të ShBA-së, me të cilin urdhëroi dislokimin e të paktën 2.000 trupave të Gardës Kombëtare në qarkun e Los Angelesit, pas përleshjeve mes zyrtarëve të imigracionit dhe protestuesve në Paramount, si dhe demonstratave masive në mbarë qarkun.
Në një postim në platformën X, guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, deklaroi se ky veprim i Trump ishte qëllimisht provokues dhe do të përshkallëzojë më tej tensionet.
Protestat në Los Angeles, të organizuara në mbështetje të emigrantëve pa dokumente që u arrestuan nga ICE, vazhdojnë ende, duke shkaktuar reagime të ashpra nga administrata e Trumpit.