Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, deklaroi të hënën se presidenti amerikan, Donald Trump, do të dërgojë edhe 2.000 anëtarë të Gardës Kombëtare në Los Angeles, si përgjigje ndaj protestave për shkak të politikës së imigracionit.
“Jam sapo i informuar se Trump po dërgon edhe 2.000 pjesëtarë të Gardës në Los Angeles”, shkroi Newsom në rrjetin social X.
Trump të shtunën kishte nënshkruar një memorandum me të cilin shfrytëzon kompetencat e tij për të dërguar të paktën 2.000 pjesëtarë të Gardës Kombëtare në qytet, pas përleshjeve mes shërbimeve të imigracionit dhe protestuesve.
“2.000 të parët? Nuk kanë marrë as ushqim, as ujë. Vetëm rreth 300 janë dislokuar”, pjesa tjetër qëndron e papërdorur në ndërtesat federale pa urdhër.
“Kjo nuk ka të bëjë fare me sigurinë publike. Kjo është thjesht për të ushqyer egon e një presidenti të rrezikshëm. Është e papërgjegjshme. E pakuptimtë. Dhe një mungesë respekti ndaj ushtarëve tanë”, shkroi Newsom.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, konfirmoi se Departamenti i Mbrojtjes do të dërgojë edhe 2.000 pjesëtarë të Gardës.
“Me urdhër të presidentit, Departamenti i Mbrojtjes po mobilizon edhe 2.000 anëtarë të Gardës Kombëtare të Kalifornisë që të thirren në shërbim federal për të mbështetur ICE-n dhe për t’u mundësuar zyrtarëve federalë të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të sigurt”, shkroi Parnell në X.
Komanda e Sektorit Verior të ShBA-së (USNORTHCOM) njoftoi të hënën se do të dërgojë 700 marinsa në Los Angeles për të ndihmuar Gardën Kombëtare në përgjigjen ndaj protestave për çështjen e imigracionit.
“Si pasojë e kërcënimeve të rritura ndaj zyrtarëve federalë dhe ndërtesave federale, rreth 700 marinsa aktivë nga baza Camp Pendleton do të dislokohen në Los Angeles për të vendosur rendin”, tha ministri amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Më vonë, Newsom e akuzoi Trumpin se “po përpiqet të shkaktojë kaos” duke dërguar 4.000 ushtarë në tokën amerikane.
“Los Angeles: Zëri juaj është i rëndësishëm. Nxitësit e paarsyeshëm që po shfrytëzojnë kaosin e Trumpit do të mbahen përgjegjës. Qëndroni të sigurt. Qëndroni të qetë. Kujdesuni për njëri-tjetrin”, tha ai.
Newsom njoftoi të hënën se do të ngrejë padi kundër Trumpit, duke pretenduar se dërgimi i Gardës Kombëtare nga ana e presidentit është i paligjshëm dhe shkel sovranitetin e shtetit federal.
“Po padisim Donald Trumpin. Kjo është një krizë e trilluar. Ai po krijon frikë dhe terror për të marrë nën kontroll milicinë shtetërore dhe për të shkelur Kushtetutën e ShBA-së”, shkroi në X.
Protestat filluan të premten e kaluar, pasi zyrtarët e Shërbimit amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE) kryen bastisje në disa filiale lokale dhe arrestuan qindra persona që dyshohet se jetonin ilegalisht në ShBA.
Administrata e presidentit Trump ka njoftuar se ICE do të vazhdojë këto aksione si pjesë e planit të presidentit për të luftuar imigracionin ilegal.