Qeveria e Sllovenisë miratoi sot propozimin për t'ia ndaluar hyrjen në vend Millorad Dodikut, njoftoi zëvendëskryeministri Matej Arçon pas seancës.
Ai tha se arsyet e vendimit janë sekrete. Arçon shtoi se sanksione të ngjashme kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ende nuk janë diskutuar.
Pasi qeveria urdhëroi Ministrinë e Punëve të Jashtme të plotësojë materialin mbi ndalimin e hyrjes së Milorad Dodikut në Slloveni dy javë më parë, si dhe javën e kaluar nuk e përfshiu këtë pikë në rendin e ditës të seancës, sot konfirmoi vendosjen e sanksioneve.
Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjë e Hercegovinës ka shpallur zgjedhje të parakohshme për presidentin e entitetit të BeH-së, Republikës Sërpska (RS), për 23 nëntor 2025. Kushtet për shpalljen e tyre u përmbushën pas vendimit përfundimtar të Gjykatës së BeH-së, e cila e dënoi presidentin e RS-së me një vit burg dhe ia ndaloi atij të mbante detyrën e presidentit të RS për gjashtë vjet.
KQZ-ja e BeH-së ia hoqi mandatin Dodikut në një seancë më 6 gusht të këtij viti ndërsa vendimi i komisionit zgjedhor u konfirmua nga Gjykata e Apelit të BeH-së.
Përveç ShBA-së, edhe Britania e Madhe, Gjermania, Austria, Polonia dhe Lituania kanë vendosur tashmë ndalime udhëtimi dhe ngrirje asetesh kundër Dodikut, familjes së tij dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të Republikës Sërpska.