Një ceremoni qendrore me rastin e Ditës së Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, që shënon 33-vjetorin e formimit të ushtrisë, është mbajtur në Kazermën "Jane Sandanski" në Shtip.
Në ceremoni përveç presidentes dhe komandantes Supreme të Forcave të Armatosura, Gordana Siljanovska-Davkova, kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi, kryeministrit Hristijan Mickoski, morën pjesë edhe Ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Gjeneralmajor Sashko Lafçiski, si dhe përfaqësues të lartë shtetërorë dhe ushtarakë.
Duke folur në ceremoni, Siljanovska-Davkova tha se për më shumë se tre dekada, Ushtria ka shkruar historinë e saj si mbrojtëse e atdheut.
"Ushtria jonë është një shtyllë e paqes dhe stabilitetit, që nga kontributi i saj në misionin paqeruajtës UNIFIL deri te angazhimi i saj në misionin KFOR, ku në nëntor të vitit 2020, paqeruajtësit maqedonas arritën nivelin më të lartë të përgjegjësisë së NATO-s. Sot, mbi 180 anëtarë të ushtrisë nën flamurin maqedonas janë të përfshirë në misione dhe operacione paqeruajtëse", tha ajo.
Ministri Misajllovski falënderoi të gjitha gratë dhe burrat në uniformë, të gjithë punonjësit e mbrojtjes që kanë kontribuar në zhvillimin e Ushtrisë.
"Mbrojtja maqedonase po investon në zhvillim, pajisje dhe modernizim, dhe shumë e rëndësishme, po rinohet dhe po plotësohet. Kjo është një garanci se forca dhe aftësia jonë për të qenë themeli i shtetit sot do të jetë realitet në të ardhmen", tha ai.
Ndërkaq, Lafçiski tha se "Ushtria ka qenë gjithmonë një nga shtyllat më të rëndësishme të shtetit, është simbol i përsosmërisë dhe profesionalizmit", duke theksuar besimin që Ushtria gëzon vazhdimisht tek qytetarët.
Gjatë ceremonisë, Presidentja Siljanovska-Davkova e nderoi Qendrën për Trajnimin e Kadetëve dhe Oficerëve me "Urdhrin e Meritës Ushtarake".