Në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore të Universitetit të Prishtinës është hapur edicioni i 43-të i Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Në ceremoninë e hapjes së këtij seminari, përpos organizatorëve dhe përfaqësuesve të lartë të Universitetit të Prishtinës (UP), mori pjesë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Kurti në fjalën e tij, para të pranishmëve, theksoi rëndësinë e gjuhës shqipe si themel i identitetit kombëtar shqiptar.
Ai tha se shqipja është organizëm i gjallë që ruan kujtesën dhe subjektivitetin njerëzor.
"Gjuha është organizëm i gjallë që frymon në çdo cep dhe në çdo kohë. Pasuria jonë shoqërore dhe shtetërore. Entuziazmi ynë me gjuhën shqipe duhet vetëm të rritet. Shpreh gatishmërinë time për mbështetjen për të arritur këtë qëllim", theksoi Kurti.
Ai tha tutje se nismat sikurse ky seminar janë bazë e qëndrueshme që vënë edukimin dhe identitetin kombëtar në qendër.
Rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, njoftoi se Seminari do të mbledh 200 studiues vendës dhe ndërkombëtarë, do të zhvillojë sesione shkencore dhe kulturore kushtuar gjuhës, letërsisë dhe trashëgimisë shqiptare.
"Është gjuha ajo çka na bashkon. Në vitet e '90-ta e dimë që gjuha shqipe në Kosovë ishte e ndaluar. Ne si universitet jemi krenarë që jemi nikoqirë të kësaj ngjarjeje të rëndësishme. 200 studiues pritet të marrin pjesë në këtë seminar. Kur e shohim seminarin e shohim se ka pasur prurje të reja shkencore", shtoi Hajrullahu.
- Seminari do të mbahet deri më 29 gusht
Në këtë seminar i cili pritet të mbahet deri më 29 gusht, do të marrin pjesë studiues dhe albanologë nga Kosova, Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe shqiptarë nga Türkiye, të cilët do të paraqesin punimet e tyre shkencore dhe do të diskutojnë mbi zhvillimet më të fundit në gjuhësi, letërsi dhe kulturë shqiptare.
Në përmbyllje të seminarit do të mbahet edhe sesioni shkencor, me temat si; zhvillime aktuale lidhur me leksikun e shqipes, shqipja në rrjetet sociale, postmodernizmi në letërsinë shqipe.
Programi i Seminarit përfshin: Kurse intensive të mësimit të gjuhës shqipe në tri nivele, ligjërata të specializuara për gjuhësinë dhe letërsinë, referime shkencore nga studiues vendorë dhe ndërkombëtarë, program kulturor për pjesëmarrësit - vizita në vende historike, aktivitete kulturore dhe njohje me trashëgiminë shqiptare.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare u themelua në vitin 1974 në kuadër të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Ai është një nga ngjarjet akademike më të rëndësishme për studimet albanologjike, duke bashkuar për dekada të tëra studiues nga mbarë bota.