Shtetet evropiane kanë protestuar më 9 qershor kundër sekuestrimit të anijes humanitare “Madleen”, e cila po transportonte ndihma jetike drejt Gazës. Demonstruesit dënuan arrestimin e aktivistëve në bord dhe kërkuan lirimin e menjëhershëm të tyre.
Në Francë, qindra protestues u mblodhën në sheshin “Place de la République” në Paris, ku shprehën zemërimin ndaj bastisjes së anijes nga Izraeli dhe bllokadës ndaj Gazës.
Qytetarët italianë kanë protestuar përpara Bazilikës historike të Panteonit në Romë, duke dënuar ndërhyrjen e Izraelit ndaj anijes civile të ndihmave.
Protestuesit mbanin një flamur të madh palestinez dhe mbanin pankarta ku shkruhej "Armëpushim", "Larg duart nga Flotilja e Lirisë", "Ndalo dërgimin e armëve në Izrael" dhe "Ndalo gjenocidin".
Në Gjermani, demonstrata u zhvillua në Alexanderplatz të Berlinit, nën moton “Ndaloni sulmin ndaj Madleen”. Sipas radios gjermane RBB24 info, në protestë morën pjesë qindra qytetarë, të cilët shprehën solidaritet me aktivistët e arrestuar.
Në Danimarkë, qytetarët protestuan në Kopenhagen, duke dënuar ndalimin e anijes dhe duke kërkuar respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar.
Në Holandë, dhjetëra persona u mblodhën jashtë Ministrisë së Punëve të Jashtme në Hagë, ku kërkuan lirimin e menjëhershëm të anijes dhe të aktivistëve të ndaluar, mes tyre edhe një shtetas holandez.
Ndërkohë, në Greqi, protestuesit u mblodhën para ambasadës izraelite në Athinë, duke valëvitur flamuj palestinezë dhe duke dënuar operacionin izraelit ndaj anijes “Madleen”, e cila po përpiqej të thyente bllokadën ndaj Gazës për të dorëzuar ndihma humanitare.
Anija “Madleen” u ndalua nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare dhe u detyrua të ankorojë në portin Ashdod të Izraelit. Të gjithë aktivistët në bord u arrestuan, sipas burimeve zyrtare izraelite. Kjo ka shkaktuar një valë reagimesh në arenën ndërkombëtare dhe kërkesa të shumta për lirimin e menjëhershëm të të arrestuarëve.