Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu informoi sot lidhur me situatën e zjarreve në vend, ndërsa u shpreh se aktualisht vijojnë operacionet nga toka dhe ajri në Fushë Arrëz, Syrin e Kaltër, Tiranë dhe Tepelenë.
Vengu siguroi se “bashkë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji dhe të gjitha strukturat ushtarake dhe civile të Mbrojtjes jemi në gatishmëri maksimale për të përballuar situatën e zjarreve nga veriu në jug”.
“Mëngjesin e sotëm, pas vënies në kontroll të situatave delikate në disa zona të banuara, operacionet nga toka dhe ajri vijojnë në Fushë Arrëz, Syrin e Kaltër, Tiranë dhe Tepelenë”, shtoi ai.
Vengu uroi po ashtu gjeneral lejtënant Arben Kingjin, i dekretuar tashmë për një mandat të dytë si shef i Shtabit të Përgjithshëm.
“Përvoja e pasur dhe përkushtimi i vazhdueshëm i Gjeneral Lejtënant Arben Kingjit janë garanci që Forcat tona të Armatosura do të vijojnë të modernizohen dhe të fuqizohen si asnjë herë më parë në këto tre dekada”, shtoi ai.