RAJONI
2 minuta leximi
Vazhdojnë zjarret në Mal të Zi, kërkohet ndihmë nga jashtë
Mali i Zi ka vendosur të gjitha burimet e disponueshme për të shuar zjarrin.
Vazhdojnë zjarret në Mal të Zi, kërkohet ndihmë nga jashtë
Vazhdojnë zjarret në Mal të Zi, kërkohet ndihmë nga jashtë / AA
4 orë më parë

Mali i Zi po lufton ende me zjarret, të cilat po shpërthejnë në disa lokacione dhe njëri prej tyre i është afruar kryeqytetit, duke shkaktuar pezullimin e trafikut në rrugën Podgoricë-Cetinje për një kohë.

Përveç Podgoricës, zjarre kanë rënë edhe në Nikshiq, Bijelo Polje, Çanj, Buljaricë. Situata më kritike ishte në Buljaricë dhe Çanj ndërsa në Podgoricë më e rëndë ishte në Piperi, Smokovc, Kakaritska Gora dhe Doljani, njoftuan mediat lokale.

"Të gjitha objektet që u kërcënuan mbrëmë janë aktualisht nën mbrojtje", tha drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Miodrag Besoviq.

Ai shtoi se zjarrfikësit nga Tivati, Kotori, Herceg Novi, Danilovgradi, Cetinja, Berana, Zhabljaku, Plevlja dhe Bijelo Polja mbërritën në Podgoricë dhe se shuarja e zjarrit po vështirësohet nga erërat e forta që, sipas parashikimeve, do të vazhdojnë të martën. Në Piperi, qytetarët janë pa ujë dhe energji elektrike mëngjesin e sotëm.

Mali i Zi ka vendosur të gjitha burimet e disponueshme për të shuar zjarrin, me anëtarë të shërbimeve të mbrojtjes dhe shpëtimit, njësi ajrore dhe helikopterësh, ushtrinë, kompanitë lokale të shërbimeve dhe qytetarët që punojnë në terren ditë e natë.

Është kërkuar gjithashtu ndihmë nga vendet fqinje si dhe ndihmë ndërkombëtare për të shuar zjarrin nga ajri.

"Aktualisht, zjarret janë aktive në komunat e Podgoricës, Budvës, Tivarit, Nikshiqit, Shavnikut dhe Bijelo Poljes. Të gjitha njësitë e disponueshme të Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ushtrisë së Malit të Zi si dhe shoqatave vullnetare të zjarrfikësve janë të angazhuara në shuarjen e tyre", deklaroi Ministria e Brendshme e Malit të Zi duke kërkuar ndihmë ndërkombëtare për shuarjen e zjarreve pyjore nga ajri.

BURIMI:AA
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us