Në Shqipëri është mbajtur ceremonia e diplomimit për nxënësit e "New York Schools", shkolla e Fondacionit Turk Maarif.
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e një hoteli në Tiranë për maturantët dhe nxënësit ciklit 9-vjeçar ishin të pranishëm anëtari i Bordit të Administratorëve të Fondacionit Turk Maarif, Hasan Ulusoy, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Türkiyes në Tiranë, Metin Bulut, administratori i "New York Schools", Hasan Dede, përfaqësues të tjerë të institucioneve turke, mësues dhe prindër.
Gjatë fjalës në ceremoni, Ulusoy theksoi se Fondacioni Maarif është një markë botërore që operon në 55 vende të botës. Ai theksoi se në Shqipëri ofrojnë një arsim cilësor.
"Shkolla jonë dhe nxënësit tanë me arritjet e tyre ndërkombëtare që kanë fituar shumë medalje na bëjnë të ndihemi krenarë", tha Ulusoy.
Duke iu drejtuar maturantëve, Ulusoy theksoi se me cilësinë e arsimit dhe edukimit që kanë do të ishin krenarë që të ishin pjesë e universiteteve në Türkiye dhe sipas tij kjo do të forconte dhe lidhjet mes Shqipërisë dhe Türkiye.
Dede, administratori i "New York Schools", në fjalën e tij në ceremoni u shpreh se në themel të arritjeve qëndron koncepti për arsimim cilësor dhe vizioni për zhvillimin e vazhdueshëm
"Shkolla jonë që prej vitit 2018 kur u bë pjesë e rrjetit arsimor të Fondacionit turk Maarif ka njohur një zhvillim të qëndrueshëm që na bën të gjithëve krenarë. Gjatë këtij procesi ne si kampus i Tiranës kemi shumëfishuar sukseset tona akademike, nxënësit tanë kanë arritur rezultate të shkëlqyera jo vetëm në Shqipëri, por edhe në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare në vende të ndryshme të botës", tha Dede.
Dede theksoi se mendon për fëmijët në Gaza "të cilëve u është ndërprerë arsimimi dhe nuk kanë mundësi të përjetojnë gëzimin e diplomimit për shkak të gjenocidit që po vazhdon".
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe drejtoresha didaktike e Gjimnazit "New York High School", Lidra Meidani.
Fondacioni Turk Maarif, përveç Universitetit të New Yorkut në Tiranë, administron edhe disa institucione arsimore në sistemin parauniversitar në Shqipëri, si në Tiranë, Elbasan dhe Shkodër.