RAJONI
2 minuta leximi
Shaip Kamberi padit Ana Brnabiqin për nxitje të urrejtjes etnike dhe fetare
Kallëzimi pason një deklaratë të Brnabiq gjatë një konference për shtyp më 30 korrik 2025, ku ajo, duke komentuar protestat në Novi Pazar, u shpreh: “Dhe dëgjuam thirrjen ‘Allahu Ekber’ dhe gjëra të tjera të neveritshme”.
Shaip Kamberi padit Ana Brnabiqin për nxitje të urrejtjes etnike dhe fetare
Shaip Kamberi padit Ana Brnabiqin për nxitje të urrejtjes etnike dhe fetare
4 Gusht 2025

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, së bashku me deputetët Ahmedin Shkrijel dhe Minela Kalender, kanë dorëzuar një kallëzim penal ndaj kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, për veprën penale të “nxitjes së urrejtjes etnike, fetare dhe racore”.

Kallëzimi pason një deklaratë të Brnabiq gjatë një konference për shtyp më 30 korrik 2025, ku ajo, duke komentuar protestat në Novi Pazar, u shpreh: “Dhe dëgjuam thirrjen ‘Allahu Ekber’ dhe gjëra të tjera të neveritshme”.

Sipas Kamberit, kjo deklaratë përbën një stigmatizim të qartë të fesë islame dhe komuniteteve myslimane, përfshirë shqiptarët, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një lapsus, por për një gjuhë të papranueshme.

“Gjuha e urrejtjes nuk është vetëm çështje morali apo politike, është çështje ligjshmërie dhe drejtësie”, deklaroi Kamberi në rrjetet sociale.

Ai shtoi se në një shtet që aspiron integrimin në Bashkimin Evropian, nuk mund të tolerohen deklarata që nxisin frikë, ndasi dhe urrejtje ndaj komuniteteve të caktuara.

Deputetët i kërkojnë Prokurorisë që të hetojë rastin në bazë të nenit 317 të Kodit Penal të Serbisë, i cili ndalon nxitjen e urrejtjes mbi baza etnike, racore apo fetare.

“Ky veprim nuk është hakmarrje politike e as sensacionalizëm. Është një thirrje për drejtësi dhe për vendosjen e një precedenti që askush, pavarësisht pozitës, të mos jetë mbi ligjin,” tha Kamberi.

Ai përfundoi duke theksuar se “drejtësia nuk është privilegj i shumicës, por mburoja e të drejtave të çdo qytetari”.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us