Royal Opera House ka tërhequr prodhimin e ardhshëm të operas Tosca nga sezoni 2026 i Operas Kombëtare të Izraelit në Tel Aviv, si përgjigje ndaj presionit të brendshëm nga stafi i saj për shkak të veprimeve të Izraelit në Gaza, të cilat janë përshkruar si gjenocidale.
Vendimi, i komunikuar më 1 gusht punonjësve të Baletit dhe Operas Mbretërore, përfaqëson një moment të rëndësishëm reagimi institucional ndaj thirrjeve gjithnjë e më të forta për bojkot kulturor, për shkak të asaj që punonjësit e përshkruajnë si “gjenocid izraelit” në Gaza.
Drejtori ekzekutiv i Baletit dhe Operas Mbretërore, Alex Beard, njoftoi stafin se “kemi marrë vendimin që prodhimi ynë i ri i Tosca-s të mos shkojë në Izrael”, sipas organizatës Artists for Palestine UK, që ka qenë në kontakt me anëtarë të institucionit.
Opera Kombëtare e Izraelit ka hequr të gjitha referencat për Royal Opera House nga faqja e saj zyrtare.
Ky veprim pason një letër të hapur të nënshkruar nga 182 punonjës të Baletit dhe Operas Mbretërore, përfshirë balerinë, muzikantë; këngëtarë dhe staf artistik; teknik e administrativ, ku dënohet heshtja e organizatës ndaj veprimeve të Izraelit, që kanë shkaktuar vdekjen e mbi 60,000 palestinezëve.
“Nuk pranojmë asnjë shfaqje aktuale apo të ardhshme në Izrael,” thuhet në letër, duke kërkuar që kompania “të mos ofrojë prodhimet tona për institucione që legjitimojnë dhe mbështesin ekonomikisht një shtet që kryen vrasje masive të civilëve.”
Nënshkruesit kërkuan nga drejtuesit e institucionit të veprojnë me qartësi morale, duke theksuar: “Si një organizatë me ndikim global, me fuqi për të formësuar diskursin dhe vlerat kulturore, kemi përgjegjësi të veprojmë në mënyrë etike.”
Letra shprehu gjithashtu solidaritet me një performues që ngriti flamurin palestinez në skenë, gjest që e përshkruan si “akt guximi dhe qartësie morale në skenën tonë.”
Ndërsa Royal Opera House nuk ka dalë ende me një deklaratë publike, njoftimi i brendshëm për stafin përbën një rast të rrallë ku drejtuesit e një institucioni të rëndësishëm kulturor britanik reagojnë shpejt ndaj presionit nga brenda.
“Ky është një përparim i mirëpritur për përgjegjësinë institucionale, dhe një fitore për organizimin nga baza,” tha një zëdhënës i Artists for Palestine UK.
“Në sektorin kulturor, shumë institucione, përballë gjenocidit, kanë zgjedhur heshtjen, ose më keq. Letra e hapur e stafit të Royal Opera është një kryengritje etike e domosdoshme ndaj këtij refuzimi për të folur.”
Protesta në Royal Opera vjen në kuadër të një vale më të gjerë veprimesh në sektorin kulturor britanik.
Artistë, shkrimtarë dhe punonjës kulture britanikë kanë nisur fushata që kërkojnë bojkot, tërheqje investimesh dhe deklarata publike nga institucionet udhëheqëse. Disa prej tyre janë përballur me censurë ose përjashtim.
Sipas Artists for Palestine UK, veprimi i Royal Opera është i pari i këtij lloji në këtë nivel.
Asnjëherë më parë punonjësit e një prej institucioneve më prestigjioze kulturore britanike nuk janë mobilizuar në këtë mënyrë për një krizë politike, dhe asnjëherë më parë menaxhmenti nuk ka reaguar kaq vendosmërisht, thuhet në deklaratë.