BOTA
2 minuta leximi
Zvicra ofron “marrëveshje më tërheqëse” për ShBA-në pas rritjes së tarifave doganore
Sipas një deklarate zyrtare të qeverisë, Këshilli Federal vendosi të vazhdojë negociatat pas njoftimit të ShBA-së për një tarifë të re të rritur prej 39 për qind ndaj importeve nga Zvicra.
Zvicra ofron “marrëveshje më tërheqëse” për ShBA-në pas rritjes së tarifave doganore
Zvicra ofron “marrëveshje më tërheqëse” për ShBA-në pas rritjes së tarifave doganore / TRT Balkan
4 Gusht 2025

Qeveria zvicerane ka deklaruar se është e gatshme të paraqesë një “ofertë më tërheqëse” në negociatat me ShBA-në mbi tarifat doganore, pa planifikuar masa kundërpërgjigjeje.

Sipas një deklarate zyrtare të qeverisë, Këshilli Federal vendosi të vazhdojë negociatat pas njoftimit të ShBA-së për një tarifë të re të rritur prej 39 për qind ndaj importeve nga Zvicra.

Në deklaratë theksohet se Zvicra mbetet e përkushtuar për të siguruar trajtim të drejtë në krahasim me konkurrentët kryesor, në mënyrë që të ruajë kushte të favorshme për ekonominë e saj.

“Këshilli Federal është i vendosur të vazhdojë diskutimet me ShBA-në përtej propozimit aktual të deklaratës së përbashkët dhe nëse është e nevojshme përtej afatit të 7 gushtit”, thuhet në deklaratë.

Duke theksuar se përmes kontakteve me komunitetin e biznesit janë zhvilluar qasje të reja për diskutimet me ShBA-në, qeveria bëri të ditur se do të vijojë negociatat me synimin për të arritur një marrëveshje tregtare.

“Zvicra hyn në këtë fazë të re e gatshme për të paraqitur një ofertë më tërheqëse, duke marrë parasysh shqetësimet e ShBA-së dhe duke synuar lehtësimin e situatës aktuale të tarifave”, u shtua më tej.

Tregtia dypalëshe ndërmjet dy vendeve është katërfishuar gjatë 20 viteve të fundit dhe aktualisht Zvicra është investitori i gjashti më i madh i huaj në ShBA.

“Këshilli Federal dëshiron të ruajë dhe të ndërtojë mbi këto marrëdhënie dinamike”, thuhet në deklaratë.

Tarifat e reja, të shpallura nga Washingtoni më 31 korrik, nënkuptojnë se afër 60 për qind e eksporteve zvicerane në ShBA do t’i nënshtrohen një tarife shtesë prej 39 për qind duke filluar nga 7 gushti.

Kjo e vendos Zvicrën në një “disavantazh të ndjeshëm” në krahasim me partnerët e tjerë tregtarë me profile të ngjashme ekonomikë, si BE-ja me 15 për qind, Mbretëria e Bashkuar me 10 për qind dhe Japonia me 15 për qind.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us