Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 4 vjet e 11 muaj burgim Millosh Antoviqin, për sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan, më 29 maj 2023.
Millosh Antoviq dhe Prokuroria Speciale kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë.
Ai është dënuar edhe me 20 mijë euro gjobë e cila do të paguhet me këste brenda dy vjetëve.
Millosh Antoviq e ka pranuar se ka ushtruar dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it si dhe Policisë së Kosovës më 2023.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, pas ngritjes së aktakuzës, e ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë ndërmjet PSRK-së dhe të pandehurit, duke e dënuar këtë të fundit me dënim unik prej 4 vjetësh e 11 muaj burgim efektiv dhe 20 mijë euro gjobë”, njoftoi Prokuroria Speciale të hënën, më 4 gusht.
Antoviq akuzohet për sulm ndaj personit zyrtar; pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale: huliganizëm; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge; posedim i paautorizuar i armëve.
Aktakuza ndaj tij ishte ngritur më 30 korrik.
Më 29 maj të vitit 2023 dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it ishin lënduar si pasojë e përleshjes me protestuesit serbë të cilët kundërshtonin atë kohë kryetarët e rinj shqiptarë në komunat veriore.
Deri më tani nga institucionet e Kosovës janë ngritur disa aktakuza ndaj personave të përfshirë në sulmet në Zveçan.