RAJONI
2 minuta leximi
Ofendimet ndaj shqiptarëve në RMV: Prokuroria nis hetimet, reagojnë Tirana dhe Prishtina
Ngjarja ka nxitur reagime të shumta në Maqedoninë e Veriut, si dhe në Shqipëri dhe Kosovë.
Ofendimet ndaj shqiptarëve në RMV: Prokuroria nis hetimet, reagojnë Tirana dhe Prishtina
Ofendimet ndaj shqiptarëve në RMV: Prokuroria nis hetimet, reagojnë Tirana dhe Prishtina / TRT Balkan
një ditë më parë

Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka hapur procedurë dhe ka lëshuar udhëzime për SPB-në e Kumanovës për hetimin e elementeve të një vepre penale, pas thirrjeve me gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve nga persona të panjohur. Incidenti ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit mes ekipeve kombëtare të Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar më 2 gusht në Kumanovë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili ishte i pranishëm në ndeshje, e dënoi ngjarjen.

“Do të doja të bashkangjitem për dënimin e nacionalizmit dhe ksenofobisë, së pari për atë që ndodhi në ndeshjen basketbollistike në mes Maqedonisë dhe Rumanisë,” tha ai, duke shtuar se bëhej fjalë për një grup të vogël tifozësh.

Ngjarja ka nxitur reagime edhe nga Shqipëria dhe Kosova. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e quajti të papranueshme atë që ndodhi.

 “Ngjarja në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme,” deklaroi ajo.

Ndërkohë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u bëri thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut të ndërmarrin masa.

 “U bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve dhe atyre që nxisin urrejtje, duke mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës,” theksoi Osmani.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us