LUFTA NË GAZA
3 minuta leximi
Izraeli bombardoi një ndërtesë shumëkatëshe në Gaza ku strehohen palestinezë të zhvendosur
Izraeli pretendon se kishte në shënjestër infrastrukturë ushtarake, por banorët dhe administrata e ndërtesës thonë se aty jetojnë vetëm civilë të zhvendosur.
Izraeli bombardoi një ndërtesë shumëkatëshe në Gaza ku strehohen palestinezë të zhvendosur
Izraeli bombardoi një ndërtesë shumëkatëshe në Gaza ku strehohen palestinezë të zhvendosur / AA
5 Shtator 2025

Ushtria izraelite bombardoi të premten një ndërtesë banimi në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës, ku ndodhen qindra palestinezë të zhvendosur, në një zonë të dendur me popullsi që u ofron strehë dhjetëra mijëra civilëve.

Godina e shënjestruar, e njohur si Kulla Mushta, u godit nga raketa të fuqishme dhe mbi të u ngrit një re e dendur tymi.

Sipas burimeve lokale, ushtria ka bombarduar të njëjtën ndërtesë katër herë që nga fillimi i fushatës gjenocidale izraelite në Gaza, më 7 tetor 2023.

Pranë kësaj zone ndodhet kampi Kteiba, një nga kampet më të mëdha për personat e zhvendosur në qytetin e Gazës, që strehon dhjetëra mijëra palestinezë. Po ashtu, në afërsi të kampusit të Universitetit Al-Azhar dhe atij Islamik ndodhen mijëra tenda dhe dhjetëra mijëra persona të zhvendosur.

Zona perëndimore e Gazës në tërësi është tashmë shtëpi për rreth një milion të zhvendosur, kryesisht nga pjesët lindore dhe veriore të qytetit dhe të Rripit të Gazës.

Administrata e Kullës Mushta hodhi poshtë pretendimet izraelite.

“Ndërtesa nuk ka asnjë lloj instalimi ushtarak apo sigurie dhe shërben vetëm si strehë për palestinezët e zhvendosur. Të gjitha katet kanë qenë të hapura dhe pa armatim,” thuhej në deklaratë.

Obadah Saifuddin, banor i ndërtesës, tha për Anadolu se ka mbetur pa shtëpi dhe nuk e di se çfarë faji ka që Izraeli ia rrëzoi banesën para syve.

“Kam kërkuar strehë në kullë me familjen time për të mbrojtur fëmijët e mi, por Izraeli nuk ka lënë asnjë vend të sigurt në Gaza,” tha një tjetër banor, Nidal Abu Ali.

Ushtria izraelite ka paralajmëruar plane për të goditur më shumë ndërtesa shumëkatëshe në Gaza në ditët në vijim, duke lëshuar urdhra evakuimi për banorët e zonave të shënjestruara.

Zëdhënësi i ushtrisë, Avichay Adraee, pretendoi se të dhënat e inteligjencës tregojnë se Hamasi ka “infrastrukturë të integruar ushtarake” brenda këtyre ndërtesave.

Kanali 12 izraelit raportoi se forcat ajrore kanë nisur një operacion gradual për shkatërrimin e këtyre godinave në gjithë Gazën, çka shënon zgjerimin e operacioneve ushtarake në qytet. Forcat izraelite hodhën gjithashtu fletushka mbi lagjen Sheikh Radwan në qytetin e Gazës, duke u bërë thirrje banorëve të evakuojnë blloqet 699, 700, 712, 713, 716 dhe 764, duke theksuar se ushtria “po vazhdon të zgjerojë operacionet drejt perëndimit”.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, shtoi se u dha njoftimi fillestar i evakuimit për një ndërtesë shumëkatëshe në Gaza, duke paralajmëruar se aktivitetet ushtarake do të intensifikohen nëse Hamasi nuk pranon kushtet, përfshirë lirimin e pengjeve dhe çarmatosjen.

Grupi palestinez i rezistencës Hamas më 18 gusht pranoi propozimin për armëpushim të ndërmjetësuar nga Egjipti dhe Katari. Izraeli nuk iu përgjigj propozimit, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu urdhëroi vazhdimin e planit për okupimin e qytetit të Gazës.

Tel Avivi vlerëson se në Gaza ende mbahen rreth 50 pengje izraelite, përfshirë 20 që janë gjallë. Ndërkohë, mbi 10.400 palestinezë ndodhen në burgjet izraelite, ku përballen me tortura, uri dhe neglizhencë mjekësore, që ka shkaktuar shumë vdekje, sipas organizatave palestineze dhe izraelite për të drejtat e njeriut dhe raporteve mediatike.

Gjenocidi në Gaza ka hyrë të premten në ditën e tij të 700-të, ndërsa Izraeli ka vrarë mbi 64.000 palestinezë. Fushata ushtarake ka shkatërruar tërësisht enklavën, e cila tashmë përballet me uri.

Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhraarresti për Netanyahun dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli po përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us