RAJONI
2 minuta leximi
Ministria e Kulturës e Shqipërisë nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me shqiptarët e Preshevës
Pak ditë më parë, ministri Blendi Gonxhja ishte i pranishëm në Preshevë, me ftesë të kryetares së komunës, Ardita Sinani, dhe siç tha ai, me porosi dhe vëmendje të veçantë të kryeministrit Edi Rama.
Ministria e Kulturës e Shqipërisë nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me shqiptarët e Preshevës
Ministria e Kulturës e Shqipërisë nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me shqiptarët e Preshevës / ATSH
7 orë më parë

Sot në kryeqytetin e Shqipërisë u nënshkrua Memorandumi Historik mes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, si përfaqësues legjitim i shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ky memorandum vjen pas takimeve zyrtare në Luginën e Preshevës, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm kulturor, ekonomik dhe rinor.

Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë, Blendi Gonxhja në emër të qeverisë shqiptare dhe nga Enkel Rexhepi, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, si përfaqësues i shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ministri Blendi Gonxhja u shpreh se ky memorandum forcon diplomacinë kulturore dhe ekonomike shqiptare, duke hapur rrugë për qasje të përbashkët në politikat, programet dhe iniciativat rajonale.

“Përmes tij synohet nxitja e nismave të përbashkëta, promovimi i trashëgimisë kulturore dhe zhvillimi i inovacionit, si ura të qëndrueshme bashkëpunimi mes institucioneve dhe komunitetit shqiptar në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë”, shkroi kreu i MEKI-t.

Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të Konferencës së Ambasadorëve, duke i dhënë një dimension të ri diplomacisë shqiptare në shërbim të kulturës, ekonomisë dhe solidaritetit ndërshqiptar.

Pak ditë më parë, ministri Blendi Gonxhja ishte i pranishëm në Preshevë, me ftesë të kryetares së komunës, Ardita Sinani, dhe siç tha ai, me porosi dhe vëmendje të veçantë të kryeministrit Edi Rama.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us