Luftëtarë palestinezë sulmuan një postë ushtarake izraelite pasi dolën nga një tunel nëntokësor në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis, raportoi të mërkurën media izraelite.
Dy ushtarë izraelitë u plagosën kur më shumë se 14 luftëtarë palestinezë sulmuan pozicionin ushtarak pranë boshtit Morag në Khan Younis, njoftoi e përditshmja Yedioth Ahronoth.
Radioja e Ushtrisë e përshkroi sulmin si “të paparë dhe ndryshe”, duke shtuar se vlerësimet fillestare të sigurisë treguan se luftëtarët kishin synuar rrëmbimin e ushtarëve.
Gazeta Israel Hayom raportoi gjithashtu se ushtria besonte se luftëtarët kishin planifikuar ta pushtonin postën dhe të merrnin ushtarë peng.
Sipas Radios së Ushtrisë, forcat izraelite u përplasën me zjarr ndaj luftëtarëve palestinezë, duke pretenduar se vranë mes 8 dhe 10 prej tyre, ndërsa të tjerët u tërhoqën.
Kanal 12 raportoi se sulmuesit hapën zjarr me pushkë automatike dhe hedhës granatash kundërtank pasi dolën nga një tunel, ndërsa tanket dhe avionët izraelitë u përfshinë në betejë.
Brigadat al-Kassam, krahu i armatosur i Hamasit, konfirmuan sulmin, duke thënë se disa ushtarë izraelitë u vranë dhe u plagosën gjatë përleshjes.
Edhe pse kanë kaluar mbi 22 muaj që nga fillimi i luftës gjenocidale më 7 tetor 2023, fraksionet e rezistencës palestineze vazhdojnë të ndërmarrin pritë të mirëplanifikuara në këtë zonë, duke shkaktuar viktima në radhët e forcave izraelite dhe duke dëshmuar paaftësinë e Tel Avivit për t’i arritur objektivat e luftës.
Izraeli ka vrarë mbi 62.100 palestinezë në Gaza që nga tetori 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila tashmë po përballet me uri masive.
Në nëntorin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një proces për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.