Gjiganti turk i mbrojtjes ASELSAN ka njoftuar se ka nënshkruar kontrata direkte dhe indirekte eksporti me vlerë 1,3 miliard dollarë në gjashtë muajt e parë të vitit, duke vazhduar strategjinë e tij të rritjes së orientuar drejt eksportit me "vendosmëri".
Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2025, të ardhurat u rritën në 53,7 miliardë lira turke (1,32 miliard dollar), një rritje prej 11,3 për qind krahasuar me një vit më parë, shifër e nxitur nga "dërgesat e vazhdueshme në fusha si mbrojtja ajrore, elektro-optika, radari, avionika, lufta elektronike, siguria dhe sistemet e armëve".
Në gjysmën e parë të vitit, kontratat e reja arritën në 2,8 miliardë dollarë, respektivisht një rritje prej 10 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa porositë e mbetura u rritën me 30 për qind, duke arritur në 16 miliardë dollarë.
Me një rritje reale prej 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, fitimet para interesit, tatimeve, amortizimit dhe zhvlerësimit (EBITDA) të gjeneruara nga operacionet arritën në 319.7 milionë dollarë me një marzh prej 25 për qind dhe raporti i porosive të reja (Book-to-Bill) u regjistrua në dy, duke e pozicionuar kompaninë mbi mesataren e industrisë.
Në gjysmën e parë të vitit 2025, shpenzimet për kërkim dhe zhvillim (R&D) u rritën me 42 për qind krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur në 572 milionë dollarë gjatë periudhës së raportimit, ndërsa shpenzimet për investime në infrastrukturë u rritën me 100 për qind, duke u dyfishuar në 104 milionë dollarë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Duke vlerësuar rezultatet financiare të gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, shefi ekzekutiv i kompainsë ASELSA, Ahmet Akyol, tha se me programin "Aselsan NEXT", të nisur në vitin 2024, kompania ka fituar një vrull të fortë financiar.
"Rezultatet tona të tremujorit të dytë konfirmuan edhe një herë se ne e kemi ruajtur këtë vrull edhe në gjysmën e parë të vitit 2025", tha Akyol.
"Mund të veçojmë tre faktorë kyç pas këtij suksesi, së pari, përqendrimi në produkte me teknologji të lartë dhe lansime të shpejta të produkteve, së dyti përmirësimet në efikasitet dhe së treti përpjekjet për lokalizim", shtoi ai.
Duke theksuar se kapitalizimi i tregut të kompainsë ka tejkaluar 21 miliardë dollarë, Akyol tha se ky zhvillim përfaqëson një tregues konkret të besimit të investitorëve në kompani dhe të besimit të tyre në potencialin e saj afatgjatë.
"Ne do të vazhdojmë të ecim përpara me të njëjtën vendosmëri edhe në gjysmën e dytë të vitit. Do të ruajmë investimet dhe shpenzimet tona për R&D, veçanërisht duke rritur kapacitetin e prodhimit serik në fusha kritike si mbrojtja ajrore, radari, municionet inteligjente, sistemet e drejtimit dhe elektro-optika. Me strategjinë tonë të rritjes së orientuar drejt eksportit, do të zgjerohemi në tregje të reja", shtoi ai.