Departamenti i Rehabilitimit në Ministrinë e Mbrojtjes së Izraelit njoftoi të mërkurën se që nga shpërthimi i luftës në Rripin e Gazës në tetor 2023 ka pranuar 80 mijë ushtarë, përfshirë 26 mijë me sëmundje mendore.
Departamenti tha se ndan rreth 4.2 miliardë shekelë (1.2 miliardë dollarë) më shumë se gjysmën e buxhetit të tij vjetor për të ofruar shërbime mjekësore për ushtarët e plagosur.
Në një deklaratë të cituar nga gazeta Yedioth Ahronoth thuhet se 33 për qind e 26 mijë ushtarëve me probleme të shëndetit mendor vuajnë nga çrregullimi i stresit post-traumatik.
Numri i ushtarëve të plagosur, së bashku me një valë në rritje të vetëvrasjeve, përbën një “sfidë të madhe kombëtare”, paralajmëroi departamenti.
Deklarata erdhi pas protestave të ish-ushtarëve izraelitë jashtë selisë së departamentit të rehabilitimit në Petah Tikva, pranë Tel Avivit, të cilët kërkuan trajtim më të mirë dhe paralajmëruan për rritjen e rrezikut të vetëvrasjeve tek rezervistët.
Sipas transmetuesit publik izraelit KAN, 16 ushtarë kanë kryer vetëvrasje që nga fillimi i këtij viti.
Izraeli po përballet me zemërim në rritje për luftën shkatërruese në Gaza, ku që nga tetori 2023 janë vrarë mbi 61 mijë njerëz. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën dhe e ka çuar atë në prag të urisë.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një proces për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në këtë enklavë.